Shqiprim Arifi është shkarkuar nga pozita e kryetarit të Preshevës.
Këtë e ka bërë të ditur vetë ai, duke theksuar se këtë e ka bërë “pushteti autoritar i Beogradit”.
Arifi ka thënë se ky regjim tashmë ka instaluar një organ të përkohshëm deri në zgjedhjet e ardhshme.“Dje në mesnatë, pushteti autoritar i Beogradit, në mënyrë arbitrare dhe duke mos ndjekur asnjë procedurë ligjore, si dhe pa asnjë njoftim zyrtar, regjimi serb dhe antishqiptar duke vazhduar traditën e Millosheviqit të viteve të 90ta, në mënyrë të dhunshme më SHKARKUAN nga posti i Kryetarit të Komunës së Preshevës. Njëkohësisht, ky regjim antishqiptar dhunshëm instaloi një organ të përkohshëm deri në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Arifi.
“SHKARKIMI i dhunshëm i imi, mesnatën e mbrëmshme, pa asnjë procedur ligjore dhe asnjë njoftim, ndodh menjëherë pas kërcënimit të fundit publik të Vuçiqit në këtë javë dhe 24 orë pasi u dënova nga Gjykata serbe për vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar më 28 Nëntor”, ka vijuar Arifi.
Ai thotë se ka disa kohë që Vuçiq kërcënon publikisht shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Me këto veprime raciste antishqiptare që janë trashëgimi e politikave të regjimit të Millosheviqit, Serbia e sotshme e Vuçiqit dëshmon tani më 3 dekada e më shumë, se shqiptarët nuk i konsideron si qenie njerëzore dhe asesi qyetatarë të barabartë në Serbi. Diskriminimi ndaj shqiptarëve është agjend e pandërprerë e politikave të Vuçiqit dhe Serbisë së tij pro-ruse.
Pra, në boshtin shoqëror të Serbisë dhe në edukimin filozofiko-politik të Serbisë, ky shtet mbetet në thelb një regjim autokrat i cili nacionalizmin ekstrem serb e përdor kundrejt të gjithëve, në veçanti të shqiptarëve e sidomos ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.
Arifi për këtë vendim ka sulmuar edhe partitë politike shqiptare në Luginë.