Shqipëria e nis mbarë, mposht Andorrën

Fitore kërkohej dhe fitore u arrit. Kombëtarja shqiptare e nis në mënyrën më të mirë fushatën e Eliminatoreve të Botërorit Katar 2022 teksa fiton 1-0 pas ndaj Andorrës në transfertë në sfidën e parë kualifikuese. Një hap shumë pozitiv ky për skuadrën e Rejës I cili kishte zgjedhur të preferuarit e tij në fushë dhe ata nuk e zhgënjyen.

(Shqipëria luajti me këtë formacion: Berisha; Gjimshiti, Kumbulla, Ismalji, Lenjani, Hysaj; Gjasula, Bare, Memushaj; Cikalleshi, Manaj dhe skemën 3-5-2).

Pas një fillimi të kujdesshëm skuadra nisi të merrte frenat e lojës në dorë për të dominuar në qarkullim dhe në raste, fatkeqësisht disa të humbura në mënyrë flagrante.

Iu deshën 41 minuta kuqezinjve për të gjetur golin me Emir Lenjanin I cili me një të majtë në kufijtë e zones kaloi portierin kundërshtar. Rastet deri në fund të pjesës së parë nuk munguan por me vetëm 1 gol u mbyllën 45 minutat e para.

Pjesa e dytë nisi po me vrull për kombëtaren tone dhe sërish u shpërdoruan disa raste dhe me kalimin e minutave ekipi uli dhe ritmin për të menaxhuar rezultatin. Reja në minutën e 62 bëri dy zëvendësime për të freskuar skuadrën me aktivizimin e Uzunit dhe Laçit në vend të Manaj dhe Memushaj.

Minuta të qeta për përfaqësuesen deri në fund teksa Andorra nuk rrezikoi asnjëherë. Edhe aktivizimi I Roshit me Brojën nga trajneri Italian nuk solli ndryshim të situates me ndeshjen që mbyllet 1-0. Një sfidë që kishte më shumë presionin e rezultatit dhe është rezultati maksimal ajo që ka rëndësi për Shqipërinë, 3 pikë dhe start triumfues.

Ndërkohë që rivalët e tjerë të grupit tonë, Anglia ashtu siç pritej shkatërroi San Marinon me rezultatin 5-0 ndërsa surpriza ndodhi në Budapest ku Hungaria mori një pike në barazimin 3-3 ndaj Polonisë.