Ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e Prishtinës, pas shpërthimit të mbrëmshëm në Zubin Potok, ku si pasojë u dëmtua kanali i ujit i Ibër Lepencit.
Rizvanolli tha se janë vendosur gjashtë tuba të përkohshëm me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B dhe se presin që të mos cënohet furnizimi me energji elektrike.
“Në të njëjtën kohë, jemi koordinuar me Korporatën Energjetike të Shqipërisë për të siguruar energji shtesë për të evituar reduktime eventuale”, ka shkruar Rizvanolli.
Ajo e ka cilësuar këtë si akt terrorist, që tha se ka ndikur edhe tek furnizimi me ujë.
Sipas saj, në Prishtinë furnizimi me ujë do të kompensohet nga Badovci dhe Batllava, furnizimi në Fushë Kosovë, Drenas dhe rajonin e Mitrovicës do të sigurohet përmes autobotëve, duke nisur nga mëngjesi i sotëm.
“Qytetarët inkurajohen të ndjekin njoftimet e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit për informata të sakta.Faleminderit Ibër Lepencit, Policisë së Kosovës dhe KEK-ut për reagimin e shpejtë, si dhe AME-së dhe KRU-ve, të cilët kanë vënë në dispozicion të gjitha autobotët dhe kapacitetet e nevojshme njerëzore për një zgjidhje emergjente”, ka shkruar Rizvanolli.
+ There are no comments
Add yours