Ruçi: Nuk duhet të lejojmë të njolloset imazhi i Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti sot një delegacion të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të kryesuar nga kryetari në detyrë, Enver Hoxhaj. Në takim morën pjesë edhe zëvëndëskryetari i PDK-së, Xhavit Haliti, dhe Sekretari e Përgjithshëm, Uran Ismaili.

Gjatë takimit u bisedua mbi zhvillimet më të fundit në Kosovë. Gramoz Ruçi vleresoi qendrimin dinjtoz te drejtuesve institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të UÇK-së dhe gatishmërinë e plotë të tyre për t’i dalë përballë drejtësisë dhe zbardhur të vërtetën e Luftës së madhe për shpëtimin e popullit të saj nga krimet monstruoze dhe gjenocidi i Serbisë.

“Ne nuk duhet të lejojmë që të njolloset imazhi i Kosovës, i luftës së saj çlirimtare dhe i përpjekjeve për t’u ndërtuar, njohur e integruar si shtet i pavarur. E vërteta është se Kosova, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj ishin viktimat përballë agresorit dhe jo e kundërta. Vepra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj, e arritur me mbështetjen e popullit të Kosovës dhe në partneritet me aleatët e mëdhenj dhe strategjikë të Shqipërisë, ShBA dhe NATO. UÇK-ja dhe populli kosovar kanë qenë në anën e duhur dhe të drejtë të historisë. Drejtësinë e kësaj lufte e ka vërtetuar koha. Në mbështetje të Kosovës, Kuvendi i Shqipërisë, prej vitit 1991, ka miratuar 18 Rezoluta dhe Deklarata, të cilat kanë kontribuar në ndriçimin e të vërtetës. Sot është i nevojshëm unifikimi i qëndrimeve politike e kombëtare të të gjitha institucioneve, forcave politike dhe zërave publikë, kombëtarë e ndërkombëtarë, të Kosovës dhe për Kosovën”, nënvizoi Kryetari Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Advertisement

Enver Hoxhaj falenderoi Kryetarin e Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, për mbështetjen e fuqishme që Shqipëria i jep mbrojtjes së të vërtetës për Kosovën dhe kërkoi që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në të ardhmen, në mënyrë që komuniteti ndërkombëtar të bëhet dhe mbetet i qartë për të vërtetën e UÇK-së dhe luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, të mbështetur nga aleatët tanë strategjikë, ShBA, NATO dhe BE.

(BalkanWeb)

Advertisement
Advertisement

You May Also Like