Përjashtohet nga puna polici që rrahu të riun brenda stacionit të Policisë

Polici Haris Kelmendi me rekomandim të Komisionit Disiplinor të Policisë së Kosovës i është shqiptuar masa disilinore ndërprerje e marrëdhënies së punës.
Ky vendim ndaj ish-pjesëtarit të Njësisë së Reagimit të Shpejtë është marrë tri ditë më parë – më 11 qershor 2021.
KALLXO.com mëson se rasti i Kelmendit i cili shihej në një video deri sa ushtron dhunë fizike ndaj një të riu ka qenë duke u trajtuar nga Komisioni Disiplinor i Policisë së Kosovës.

Këta të fundit pas zhvillimit të procedurës disiplinore kanë marrë propozim nga Drejtoria e Standardeve Profesionale që Haris Kelmendit t’i ndërprehet marrëdhënia e punës.
Komisioni Disiplinor siç mëson KALLXO.com ka shpallur Kelmendin fajtor nën dyshimet se i njëjti ka kryer veprat penale të sjelljes së rëndë diskredituese por edhe ndërhyrje apo pengim në proceset ligjore.
Pas rekomandimit të, Komisionit Disiplinor drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka marrë vendimin për suspendimin e përkohshëm të Kelmendit deri sa vendimi për largim nga puna të bëhet i plotfuqishëm.
KALLXO.com pati raportuar edhe se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor Haris Kelmendi nën dyshimet se i njëjti ka kryer veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare por edhe atë të pengimit të provuarit.

Përveç aktakuzës ndaj Haris Kelmendit, prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe për kolegun e tij, Agon Hyseni. Edhe ky i fundit po ngarkohet me veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e datës 2 prill të këtij viti në të cilën shpjegohet në tërësi vepra e cila u ngarkohet Kelmendit e Hysenit.
Haris Kelmendi dyshohet se më datë 16 qershor të vitit 2018 rreth orës 2 të mëngjesit në cilësinë e zyrtarit policor brenda stacionit policor “Qendra” në Prishtinë deri sa po trajtonte një rast të viktimës L. R., e kishte keqtrajtuar duke i shkaktuar lëndime trupore.
Gjithashtu në aktakuzë përmendet edhe goditja me shuplakë e Haris Kelmendit ndaj viktimës L. R., pamje të cilat u transmetuan edhe gjatë një emisioni të KALLXO.com.
Nga goditja me shuplakë viktima rrëzohet ndërsa e gjithë kjo situatë ishte inçizuar me telefon e më pas ishte shpërndarë në disa grupe të rrjeteve sociale.

Polici Haris Kelmendi më 28 janar të këtij viti ishte arrestuar nën dyshimin për keqtrajtim të një të riu i cili konsiderohej i mitur në kohën kur kishte ndodhur goditja me shuplakë.
Gjithmonë sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar KALLXO.com, një ditë pasi polici Kelmendi ishte arrestuar, më saktësisht me datë 29 janar, i njëjti ishte liruar ndërsa e kishte telefonuar përmes telefonit viktimën L. R., dhe kishte kërkuar nga i njëjti ta tërheq deklaratën e dhënë në Inspektoratin Policor të Kosovës.
Pasi kishte mbaruar telefonatën, viktima në këtë rast L. R., kishte telefonuar hetuesit e IPK-së dhe u kishte treguar se kishte pranuar telefonata për tërheqjen e deklaratës ndaj Haris Kelmendit.
Me këto veprime, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka konstatuar se polici Haris Kelmendi ka kryer veprën penale të pengimit të të provuarit.
Ndërsa aktakuza për policin tjetër, Agon Hysenin thotë se i njëjti ngarkohet me veprën penale të keqtrajtimit gjatë detyrës zyrtare pasi që i njëjti ka marrë pjesë në keqtrajtimin e të njëjtit person apo viktimë L. R.

KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me arrestimin dhe hetimin e zyrtarëve policor Haris Kelmendi dhe Agon Hyseni për keqtrajtimin e të riut L. R.

Në lidhje me lirimin që ishte bërë Haris Kelmendit 24 orë pas arrestimit, ishte pezulluar nga puna prokurori i rastit.

Prokurori Eset Rama ishte pezulluar nga detyra me vendim të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Read Previous

Basha u rikonfirmua në krye të PD- së, selia blu shpall sot fituesin

Read Next

Takimi Biden-Putin, mobilizohen 3 mijë forca për samitin botëror

%d bloggers like this: