









Partia Socialdemokrate ka akuzuar Qeverinë se reagimi i tyre ishte i vonshëm në lidhje me arrestimet e djeshme të protestës së PSD-së.
Sipas PSD-së, reagimi i Qeverisë ka ardhur vetëm pas presionit të madh të qytetarëve dhe opinionit publik.
“Reagimi i Qeverisë nuk erdhi pasi u përdor dhunë nga policia, as pasi u arrestuan aktivistët. Qeveria ka reaguar vetëm pas presionit të madh të qytetarëve dhe opinionit publik. Prandaj reagimi doli në ora 23:00. Kjo është mënyra e vetme sesi ky pushtet matet. Reagimi është i vonshëm, dhe erdhi prej zorit”, thuhet në njoftim.
Nga kjo parti kanë thënë se Qeveria nuk mund të fshihet prapa një reagimi e një suspendimi të policit.
“Dhuna policore ndaj aktivistëve tregon për fillimin e përndjekjeve. Ajo merr forma të ndryshme në kohë, por qëllimi është i njëjtë: paqtimi i dallimeve, dëgjueshmëria, disiplinimi. Policët më të zellshëm në ushtrimin e dhunës janë ata që marrin tagrin moral e politik prej populizmit të Kryeministrit Kurti. Rendet me tendenca totalitare janë të rrezikshme sepse funksionojnë pa nevojën për komandime direkte nga sipër. Dhuna policore është e papranueshme. Qeveria nuk mund të fshihet prapa një reagimi e një suspendimi të policit. Qeveria fshihet prapa një reagimi që flet për të drejtën për protestë, e në njëjtën kohë dhe për të njëjtin parim mbanë të burgosur Kryetarin e PSD-së. Por t’i kthehemi përsëri pyetjes qendrore: Pse 5 euro tiketë? Pse po krijohet monopoli? Pse?”, thuhet më tej në njoftimin e PSD-së. /Zëri
