
Zhvilluesja kryesore e vaksinës kundër koronavirusit të Oxford/AstraZeneca ka paralajmëruar se pandemia e ardhshme mund të jetë “më vdekjeprurëse”, duke bërë thirrje që të bëhen parapërgatitje më të mira.
Sarah Gilbert tha se bota duhet të mësojë nga pandemia e COVID-19.
“Kjo nuk do të jetë hera e fundit që virusi do të kërcënojë jetën tonë. E vërteta është që, (pandemia) e ardhshme do të jetë më e keqe. Mund të jetë më ngjitëse ose më vdekjeprurëse, ose të dyja së bashku”, tha Gilbert.“Përparimet që kemi bërë dhe njohuritë që kemi fituar, nuk duhet t’i humbasim”, tha ajo.
Vaksina e prodhuar nga Universiteti i Oxfordit dhe kompania AstraZeneca ishte vaksina e parë kundër koronavirusit që fillimisht u miratua për përdorim në Mbretërinë e Bashkuar dhe aktualisht përdoret në mbi 170 shtete të botës, transmeton rel.
Për shkak të rolit të saj në zbulimin e vaksinës, Gilbert është nderuar nga Mbretëresha Elizabeth II e cila ia ka ndarë titullin Damë.
Ajo ka punuar në prodhimin dhe testimin e vaksinave për më shumë se një dekadë, kryesisht duke përdorur antigjenët nga malaria dhe gripi dhe nisi projektin për prodhimin e vaksinës kundër koronavirusit në fillim të vitit 2020, pasi virusi u shfaq në Kinë në fund të vitit 2019.
Përderisa bota po përballet me variantin e ri të koronavirusit, Omicron, Gilbert bëri thirrje për kujdes të shtuar.
“Derisa të dimë më shumë, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të ndërmarrim hapa për të frenuar përhapjen e këtij varianti të ri”, tha ajo.