Paralajmërimi i KE: Mutacioni indian do të dominojë infektimet

Nënpresidenti i Komisionit Europian, Margaritis Shinas paralajmëron vendet anëtare ta marrin seriozisht mutacionin indian të koronavirusit. Duke folur në një mbledhje të Komisionit Parlamentar për Mjedisin, zyrtari i lartë i unionit paralajmëroi se i ashtuquajturi varianti Delta rrezikon të dominojë infektimet e reja në muajin Gusht. Referuar të dhënave të Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, arrihet në përfundimin se varianti Delta pritet të përbëjë 70% të të gjitha rasteve të reja deri në fillim të Gushtit. Ndërsa deri në fund të atij muaji ky nivel pritet të arrijë deri në 90%.

Rrezikshmërinë e lartë të mutacionit indian e tregojnë edhe shifrat e viktimave në Rusi, që këtë të Martë shënuan rekordin e gjithë periudhës më shumë se 1-vjeçare të pandemisë së koronavirusit, prej 652 personash në një ditë. Kjo valë detyroi autoritetet ashpërsojnë masat, duke lejuar vetëm të vaksinuarit të hyjnë në ambiente publike si bare e restorante, ku kërkohet certifikata e vaksinimit.

Këtë 24-orësh, në Britaninë e Madhe u shënua rekord ditor infektimesh nga Covid-19. Vendi po përballet me një valë të re përhapjeje, të ushqyer nga mutacioni indian. Në dallim nga Rusia e Britania e Madhe, në vendet e tjera të kontinentit po aplikohet niveli më i ulët i mundshëm i masave kundër përhapjes.

Tv Klan