OBSH: Nevojiten 4.3 miliardë dollarë për vaksinat e vendeve në nevojë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se nevojiten veprime dhe para në mënyrë që vaksinat e koronavirusit të jenë të disponueshme në të gjithë botën, tani që ato po miratohen në vendet perëndimore.

Gjatë informimit për COVID-19 në selinë e OBSH-së në Gjenevë, Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus përshëndeti faktin që Britania ka filluar të vaksinojë qytetarët e saj dhe që Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët nuk do të vonojnë ta bëjnë këtë. Ai tha se të kesh vaksina të sigurta dhe të mira për një virus që ishte krejtësisht i panjohur një vit më parë, kjo është një “arritje mahnitëse shkencore”.

Shefi i OBSH-së vuri në dukje se do të ishte një arritje edhe më e madhe nëse të gjitha vendet do të kenë qasje të barabartë te këto vaksina. Zoti Tedros tha se agjencia e OKB-së ka punuar shumë gjatë vitit të kaluar për të marrë angazhime politike nga udhëheqësit botërorë për qasje të barabartë te vaksinat dhe shtoi se dëshiron t’i shohë këto angazhime të përkthyera në veprim.

Ai tha se OBSH-së i duhen 4.3 miliardë dollarë për të sigur uar vaksina për vendet në nevojë dhe u bëri thirrje donatorëve të ndihmojnë për të plotësuar financimin e munguar.

Advertisement

Drejtori i Përgjithshëm tha se organizata po punon me partnerët e saj në mënyrë që vendet në zhvillim të kenë infrastrukturën e duhur për shpërndarjen e vaksinave te popullatat e tyre. Zoti Tedros tha se OBSH-ja, përmes projektit të saj të bashkëpunimit për vaksinat COVAX dhe 189 vendeve pjesëmarrëse, ka siguruar gati një miliard doza të tre vaksinave të mundshme.

Por ai tha gjithashtu se mbyllja e hendekut në financim është thelbësore për të siguruar mbrojtjen e njerëzve në të gjithë botën.

“Ne të gjithë kemi parë imazhe të njerëzve që vaksinohen kundër COVID-19. Ne duam t’i shohim të njëjtat imazhe në të gjithë botën dhe kjo do të ishte një shenjë e vërtetë solidariteti”, tha ai./abcnews.al

Advertisement
Advertisement

You May Also Like