









Nxënësit të cilët përfundojnë arsimin e mesëm 4 vjeçar dhe janë të paraqitur në provimin e maturës shtetërore, nesër në orën 10 të mëngjesit do t’i nënshtrohen provimit të parë ekstern në gjuhë amtare, i cili është i detyrueshëm për 15 294 nxënësit e paraqitur për këtë vit, njoftojnë nga Ministria e arsimit dhe shkencës.
MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Sipas të dhënave të qendrës shtetërore të provimeve , nga numri i përgjithshëm i të paraqiturve, 7 050 nxënës janë nga gjimnazi, 7 983 janë nga arsimi i mesëm profesional dhe 261 nga arsimi i mesëm i artit. Të gjithë do t’i nënshtrohen provimit në lëndën e gjuhës amtare. Në gjuhë dhe letërsi maqedonase do të testohen 10.848 nxënës, gjuhë dhe letërsi shqipe 4 078 nxënës dhe 272 nxënës gjuhë dhe letërsi turke. Rezultatet e testimeve do të publikohen në afat prej 30 ditëve nga provimi i i dytë ekstern”.





Nga MASH thonë se provimit të dytë ekstern i cili është në lëndë zgjedhore nxënësit do t’i nënshtrohen më 11 qershor. Për lëndën e matematikës janë përcaktuar 1 529 maturantë. Ashtu edhe si në vitet e kaluara nxënësit më shumë janë përcaktuar për provime në gjuhë të huaja, numër më të lartë të të paraqiturve ka për gjuhën angleze apo gjithsej 13 452 nxënës, për gjuhë gjermane janë paraqeiur 140 nxënës , gjuhë frenge 32 dhe gjuhë ruse 18 nxënës.
Matematika dhe gjuhët e huaja janë një përzgjedhje për nxënësit e gjimnazeve dhe shkollave të mesme profesionale, ndërsa për nxënësit në shkollat e artit – gjuha e huaj zëvendësohet me filozofinë.





MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Vitin e kaluar, matura shtetërore nuk u realizua për shkak të pandemisë, ndërsa këtë vit u krijua një protokoll shëndetësor për mënyrën e testimit. Në maksimum 15 nxënës lejohet të jenë në klasë, por vetë shkollat do ta shqyrtojnë se sa nxënës do mund të akomodojnë në klasa dhe në disa numri do të jetë edhe më i vogël se ky”.





Nga Ministria e Arsimit informojnë se do të ketë rreth 2 000 testues dhe rreth 300 vëzhgues, të cilët janë vaksinuar, ndërsa maturantët që janë të diagnostifikuar me koronavirus ose që janë në izolim në provimet e 5 dhe 11 qershorit do tu mundësohet afat shtesë më 25 dhe 28 qershor me dokument vertetimi.
Pas dhënies së provimeve eksterne, nxënësit deri në fund të muajit do ti nënshtrohen edhe dy provimeve interne në shkolla dhe përveç kësaj, ata janë të obliguar të përgatisin detyrë projektuese e cila, sipas kalendarit, ishte realizuar nga 15 marsi deri në 30 prill.





Maturantët që nuk do ti kalojnë testimet e maturës në qershor do të kenë mundësi të dytë në afatet e gushtit – datat janë 11 gusht për provimin e parë ekstern dhe 13 gusht për provimin e dytë ekstern.
Medina Ajeti /SHENJA/