Breaking News :

nothing found
12-08-2022

Në prag të inaugurimit presidencial, SHBA e ‘blinduar’

Advertisement

Zyrtarët e sigurisë në Shtetet e Bashkuara thonë se po marrin të gjitha masat paraprake për të mbrojtur nga një sulm i mundshëm gjatë inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden të mërkurën në shkallët e Kapitolit të SHBA, përfshirë kontrollin e sigurisë nga FBI-ja të 25,000 anëtarëve të Gardës Kombëtare të dislokuar në Uashington për ceremoninë.

“Megjithëse nuk kemi informacione zbulimi për ndonjë kërcënim të brendshëm, ne nuk po lëmë asnjë gur pa kthyer për të siguruar kryeqytetin,” tha në një deklaratë sekretari në detyrë i Mbrojtjes Christopher Miller.

Ai tha se trupave po u bëhet trajnim shtesë ndërsa mbërrijnë në Uashington dhe u është thënë se “nëse shohin ose dëgjojnë diçka që nuk është e përshtatshme, t’ia raportojnë atë eprorëve të tyre në zinxhirin e komandës.”

Raportet e zbulimit amerikan kanë lënë të kuptohet që disa protestues që besojne se Presidenti në largim Donald Trump u privua nga rizgjedhja për shkak të mashtrimeve me votat, mund të përpiqen të prishin ceremoninë e betimit dhe inaugurimin e zotit Biden. Vendi ku do të bëhet inaugurimi është i rrethuar me gardh të lartë të mbuluar me tela me gjemba, mes masave të pashembullta të sigurisë, që nuk janë parë në inaugurimet e kaluara.

Siguria është më në qendër se zakonisht, ndërsa inaugurimi vjen dy javë pasi mijëra mbështetës të zotit Trump sulmuan Kapitolin pasi ai i nxiti ata të marshonin drejt ndërtesës, ndërsa ligjvënësit ishin mbledhur për të konfirmuar fitoren e zotit Biden.

Dy ditë para marrjes së pushtetit, Biden dhe gruaja e tij, Jill Biden, kaluan një pjesë të së hënës duke bërë punë vullnetare në një bankë ushqimore, në qytetin e madh lindor të Filadelfias në Pensilvani. Ata e bënë një gjë të tillë në Ditën Kombëtare të Shërbimit që përkujton festën vjetore që nderon udhëheqësin e të drejtave civile, Rev. Martin Luther King Jr.

Në Uashington, grupet ushtarake dhe muzikore marshuan përpara Shtëpisë së Bardhë, duke bërë prova për paradën inauguruese të zotit Biden, megjithëse aktiviteti është reduktuar ndjeshëm krahasuar me inaugurimet e mëparshme për shkak të numrit në rritje të rasteve të koronavirusit në SHBA.

Advertisement

Read Previous

Vuçiç: Krijimi i ‘Shqipërisë së Madhe’, kërcënim për Serbinë dhe BE

Read Next

Zyrtare, Mandzukic prezantohet si lojtar i Milanit