Ministri i politikës sociale, demografisë dhe të rinjve, Fatmir Limani sot foli Për 100 ditët e para të punës. Ai tha se në këtë resor ka gjetur projekte të ngecura, mungesë mjetesh, punonjës të pakënaqur por edhe qytetarë të zhgënjyer me situatën. Më pas shtoi se për 100 ditë mund të mos kenë bërë shumë, por janë bërë hapa domethënës që ua lehtësojnë jetën qytetarëve.
Mes punëve të bëra, Limani përmendi rritjen e pensioneve për 2.500 denarë për rreth 340 mijë pensionistë, ndërsa rikujtoi se do të ketë edhe një rritje tjetër prej 2.500 denarëve me pensionin e marsit. Më tej përmendi projektet që po realizohen ose do të bëhen për ndërtimin e çerdheve, kopshteve, shtëpitë e të moshuarve dhe personave me nevoja të posaçme. Ministri Limani tregoi se në mënyrë aktive po punohet në dy sektorët e rinj: demografia dhe rinia përmes politikave për përmirësimin e situatës demografike në vend dhe politikave për të mbajtur të rinjtë në shtëpi, transmeton TV21.
“Plani i demografisë parashikon masa për nxitjen e lindshmërisë dhe mbështetjes për fëmijën e porsalindur dhe prindërit e tij, respektivisht rritjen e mbështetjes së njëhershme financiare për fëmijën e parë dhe të dytë si dhe ndihmën e njëhershme financiare për fëmijën e tretë. Po ashtu në këtë drejtim do të sigurojmë mbështetje financiare për nënat që janë kthyer nga pushimi i lehonisë, procedurë invitro me mundësi që çdo grua të marrë nga 6 inseminime falas. Shtëpi për të rinjtë “Bli shtëpi për të rinjtë”, mbështetje për kompaninë që do të punojë nëna me 3 ose më shumë fëmijë dhe programi “Mirë se erdhët në shtëpi” që është ekskluzive për mërgatën tonë, tha Limani.
