NATO-ja nis në Shqipëri stërvitjen më të madhe në Ballkanin Perëndimor

Në Shqipëri NATO ka nisur stërvitjen ushtarake “Defender 21” me mijëra trupa nga SHBA dhe vende të tjera anëtare të saj.

Sipas një zyrtari të ushtrisë amerikane, kjo është stërvitja më e madhe në Ballkanin perëndimor qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

Në të marrin pjesë afro 28 mijë trupa nga 26 shtete, ku Shqipëria është pjesëtare dhe një qendër mikpritëse e saj.

Koloneli amerikan Joseph Scrocca tha sot në një takim online me shtypin se Shqipëria është një aleate e vendosur e NATO-s dhe një partnere e vlerësuar e sigurisë në nivel rajonal dhe global.

Trupat amerikane janë vendosur qysh nga 26 prilli në 5 baza ushtarake të Shqipërisë, tokësore, detare dhe ajrore.

Krahas Shqipërisë, në stërvitje marrin pjesë edhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, anëtarë të NATO-s; Kroacia Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Advertisement

Disa ditë para nisjes së stërvitjes “Defender 21”, shefi i shtabit të ushtrisë shqiptare, gjeneral major, Bajram Begaj, tha në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se Komanda Amerikane e Europës dhe Afrikës e vlesësoi Shqipërinë, duke e zgjedhur për këtë stërvitje me rëndësi.

Nga ana tjetër, sipas tij, Shtetet e Bashkuara shprehin vendosmërinë se janë garant të sigurisë dhe mbrojtjes së Europës Qendrore, Veriore dhe për rajonin delikat të Ballkanit Perëndimor./Alsat

Advertisement
Advertisement

You May Also Like