Ministria e Drejtësisë i reagon KPK-së, i bën thirrje ta braktisë ‘qasjen destruktive’

Ministria e Drejtësisë i reagon KPK-së, i bën thirrje ta braktisë ‘qasjen destruktive’

Ministria e Drejtësisë kaa shprehur keqardhje për reagimin e djeshëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës ndaj miratimit të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për KPK-në.

Sipas MD-së, reagimi i këtij organi, është siç thuhet “në vazhdën e qasjes destruktive, veprimeve penguese dhe tendencave të vazhdueshme bllokuese të Këshillit Prokurorial madje është ndërhyrje flagrante në kompetencat e Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ka për qëllim  ruajtjen e status quo-së dhe vazhdimin e problemeve sistematike, tanimë të njohura për publikun dhe për të cilat shprehin të gjithë shqetësim”.

“Ashtu si gjatë pjesëmarrjes në grupet punuese të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe në diskutimet e fundit dhe amendamentet e shqyrtuara në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit, reagimi i KPK-së nuk përmban as edhe një argument të vetëm se si ky ligj  “cenon pavarësinë e KPK-së”, “ndërhyn në mandatin kushtetues” apo edhe “pamundëson funksionalizimin e KPK-së”, siç pretendohet në reagimin e KPK-së. Reagimi përveçse përmban të pavërteta e pasaktësi faktike, gjithashtu bazohet vetëm në konstatime dhe deklarata të përgjithshme që nuk janë të specifikuara e as argumentuara ligjërisht dhe profesionalisht e cila qasje dhe veprim  bie në kundërshtim edhe me vet rolin dhe mandatin e KPK-së për bashkëpunim konstruktiv dhe kontribut profesional në përmirësim të sistemit të drejtësisë, në veçanti atij prokurorial.

“Ligjit për Këshillin Prokurorial, i ka paraprirë një procedurë e gjatë e hartimit e cila ka përfshirë konsultimin formal tre herë me Komisionin e Venedikut, diskutime e propozime konkrete nga organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, propozime dhe diskutime nga vet përfaqësuesit e sistemit prokurorial si dhe nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës së fundmi”, thekson më tej kjo ministri.

Advertisement

Mes tjerash, MD i bën thirrje KPK-së “të fokusohet në zbatimin e këtyre elementeve që janë në të mirën e vet sistemit dhe të cilën reformë publiku, së bashku me reformat tjera e pret nga institucionet të cilat janë të mandatuara për të garantuar sundim të ligjit, ofruar drejtësi e mbrojtur të drejtat e njeriut”.

“Ministria e Drejtësisë kërkon nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të braktisë qasjen destruktive dhe tendencat  penguese dhe të jetë një partnerë bashkëpunues me qëllim të jetësimit të plotë të reformës në drejtësi”.

Advertisement
Advertisement