Merkel: Politika ndaj refugjatëve dhe pandemia ishin për mua sfida të mëdha

Estimated read time 3 min read

Në një intervistë për DW, kancelarja në largim Angela Merkel bën një bilanc të mandatit të saj dhe pranon se ende nuk e di se çfarë do të bëjë në të ardhmen.
E qetë dhe padyshim në paqe me veten: kështu dukej kancelarja Angela Merkel (CDU) në një intervistë që zhvilloi me të drejtori i lajmeve të Deutsche Welle, Max Hofmann, në Kancelarinë në Berlin.

Merkelit nuk iu desh të mendohej gjatë për përgjigjen ndaj pyetjes se cilat kishin qenë sfidat më të vështira për të si kancelare: ardhja e refugjatëve në Gjermani në vitin 2015 dhe lufta kundër pandemisë së coronavirusit.

“Këto dy ngjarje ishin për mua personalisht sfidë, ndërkohë që numrin e madh të refugjatëve që vijnë, unë nuk do të doja ta quaja krizë, sepse njerëzit janë njerëz”.

Presioni për të ikur, veçanërisht nga Siria dhe vendet përreth, ishte shumë i fortë në atë kohë, tha kancelarja.

Kurse për pandeminë Merkel tha: “Aty pamë se sa shumë njerëz u prekën drejtpërdrejt pra kemi të bëjmë me fate njerëzore”.

“Kundër ndryshimeve klimatike nuk është arritur mjaftueshëm”

Si një lloj krize në kohën e saj si kancelare Merkel quajti gjithashtu faktin që gjithnjë e më shumë njerëz në botë e vënë në dyshim multilateralizmin: “Për mua ishte gjithmonë e rëndësishme dhe gjithmonë jam përpjekur të forcoj organizatat ndërkombëtare, FMN-në, Bankën Botërore, Organizatën Botërore të Tregtisë dhe të tjerat”. Lidhur me çështjen gjithnjë e më të ngutshme të luftës kundër ndryshimeve klimatike, kancelarja pranoi se nuk është arritur mjaftueshëm.

Advertisement

Merkel e cila para se të bëhej kancelare ishte ministre e Mjedisit dhe ka kryesuar samitin e parë të OKB-së për klimën në Berlin në 2005, tha: “Ne jemi bërë më të shpejtë. Por kurrë nuk ka qenë si tani, që distanca ndaj vlerësimeve shkencore është rritur përsëri. Kjo duhet të ndryshojë tani gjatë kësaj dekade. Ne duhet të bazohemi përsëri dhe të ndjekim rekomandimet e studimeve shkencore lidhur me ngrohjen globale prej 1.5 gradësh”.

Merkel: Aktivistët e rinj të klimës duhet të bëjnë presion!”

Kancelarja nuk pranon se personalisht ka dështuar në politikën klimatike dhe tha se për çdo masë për mbrojtjen e klimës duhet të arrihen marrëveshje me shumicë, sepse ekziston shumë frikë nga pasojat sociale të shkurtimeve të forta, për shembull në konsumin privat.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like