Ligji i ri do ta zëvendësojë balancuesin, VMRO, LSDM dhe VLEN pro shfuqizimit, FE në mbrojtje të mekanizmit

Estimated read time 4 min read

Arben Taravari nga koalicioni në pushtet VLEN, nuk konfirmoi nëse do ta mbështesin propozimin e djeshëm të Aleancës për Shqiptarët me në krye Ziadin Selën, që nëse në Gjykatën Kushtetuese ngritet iniciativë për kushtetueshmëri të ndonjë ligji i cili është sjellur me Badenter, edhe në Gjykatë vendimi për të njëjtën të sillet me Badenter. Taravari shprehet se ASH që në 2020-tën ka propozuar ligj për përfaqësim të drejtë, ndërsa akuzon Ahmetin e Selën se mos rregullimi i deritanishëm i ligjeve për gjuhët dhe për Badenterin, janë shkaktar që sot përballen me probleme të tilla. Taravari nuk pajtohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por thotë se nuk kanë çfarë të bëjnë. Si Qeveri, po përgatisin propozim ligj të ri për përfaqësim të drejtë gjatë punësimeve.

“Unë z.Selën dhe z.Ahmetin nuk i kuptoj pse tash ju kujtohet se duheshka në Gjykatën Kushtetuese të ketë Badenter. Z.Sela si mik i afërt i z.Ahmetit, 22 vjet kanë pushtet absolut, lokal e qendror. Pse nuk e sollën një ligj si duhet për gjuhën shqipe? Pse nuk e sollën që me badenter të votohet edhe në Gjykatën Kushtetuese? A tash iu kujtua? A duhet t’u japim edhe 22 vite që ta bëjnë një gjë të tillë? Pse nuk e bënë deri tash? Të shesësh mjegulla dhe filozofi është shumë lehtë”, tha Arben Taravari – ASH-VLEN.

Ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese kanë reaguar edhe nga BDI. Ata sigurojnë qytetarët se do të mbeten vigjilentë në mbrojtjen e këtij mekanizmi, sepse siç thonë, vetëm kështu mund të sigurohet e ardhme e sigurtë për të gjithë qytetarët e vendit. Akuzojnë VLEN-in se po i mbyllin sytë dhe po lejojnë rrënimin e të arriturave të shqiptarëve.

“Ky vendim cenon përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore, respektivisht s’ka më punësime për shqiptarët. Andaj, BDI apelon për rishqyrtim urgjent të këtij vendimi, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të rendit kushtetues dhe të sigurohet që parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të mbetet efektiv dhe i zbatueshëm në praktikë”, thonë nga BDI.

Nga ana tjetër, blloku politik maqedonas e përshëndetë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ministri i Administratës Publike, që vjen nga radhët e ZNAM-it, Goran Minçev, thotë se do të përgatitet propozim ligj i ri. Nuk e di përmbajtjen e të njëjtit, por thotë se është mirë të sillet pasi Gjykata Kushtetuese të marrë vendim të prerë.

Advertisement

“Balancuesi si një nga dispozitat e cila përkohësisht po ndërprehet, mendoj se balancuesi si mjet digjital në të kaluarën me të vërtetë ishte lëndë e keqpërdorimeve dhe nëse e shohim në këtë kontekst, vendimin e Gjykatës Kushtetuese e përshëndes”, potencoi Goran Minçev – Ministër i Administratës Publike.

Pro shfuqizimit është edhe LSDM-ja.

“Edhe ne jemi për shfuqizimin e balancuesit. Balancuesi duhet të paraqesë sistem të shpërblimit adekuat mirëpo me kritere strikte. Më të mirët, ata që janë më kualitativ, që kanë njohuri më të mira, ata të jenë në piedestal në korniza të principit të balancuesit. Merit sistemi në një mënyrë të vjen në shprehje”, u shpreh Sanja Llukarevska – deputete e LSDM-së.

Përndryshe, Gjykata Kushtetuese në arsyetimin e dhënë për vendimin, shprehin dyshime se me mekanizmin Balancuesi cenohen liritë themelore të njeriut të cilat janë e drejtë ndërkombëtare të vërtetuara në Kushtetutën tonë. Sipas Gjykatës, e drejtë e gjithsecilit është të ndjehet si të dojë në bazë etnike, por edhe nëse dëshiron të deklarojë identitetin e tij gjatë procesit të punësimit.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like