Legalizimi i veturave të huaja, shteti arkëton mbi 20 milionë euro

Pronarët e veturave me targa të huaja që posedojnë nënshtetësi të dyfishtë do të mund të legalizojnë veturat e tyre me lirim prej 50 për qind. Ekspertët e automobilizmit vlerësojnë se tregu i veturave të vjetra në Maqedoni ndikohet edhe nga fuqia e ulët blerësve në shtet dhe pamundësia e blerjes së veturave të reja nga njëra anë.

Pronarët e veturave me targa të huaja që posedojnë nënshtetësi të dyfishtë do të mund të legalizojnë veturat e tyre. Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria miratoi Projektligjin për regjistrimin e automjeteve me targa të huaja në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që duhet të miratohet në Kuvend deri në fund të vitit. Ato do duhet të japin deklaratë se vetura e tyre ka hyrë për herë të fundi në shtet para një tetorit që të mund të paguajnë kompensimet përkatëse për regjistrimin e veturës me targa vendore. Aktualisht veturat me targa të huaja mund të qëndrojnë legalisht për tre muaj në shtet, për të dalë dhe hyrë sërish në Maqedoni, ndërsa tani regjistrimin e veturës e paguajnë në shtetet e jashtme. Sipas propozim ligjit, përskaj kërkesës për legalizim do të duhet të dorëzohen edhe dëshmi për origjinën e veturës, për pronësinë, për obligimet e shlyera tatimore dhe doganore, si dhe dëshmitë për rregullshmërinë teknike dhe të gazrave.

Me zgjidhjen ligjore, parashikohet që kjo masë do të vlejë për një vit. Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi thotë se me këtë, do të zgjidhet problemi i veturave me targa të huaja, si dhe do të hynë në mënyrë shtesë në arkën e shtetit, mbi 20 milionë euro. “Të gjitha automjetet që kanë hyrë në territorin e Maqedonisë së Veriut deri më 1 tetor 2020 dhe që janë me targa të huaja do të mund të regjistrohen në vend brenda një viti me tarifë të ulur për 50 për qind të vlerës së përcaktuar të të gjitha detyrimeve që paguhen gjatë importit nga organet kompetente shtetërore. Projektligji hyn në fuqi 20 ditë pasi të publikohet në Gazetën Zyrtare, pas miratimit nga Kuvendi”, thotë Bekteshi. Sipas tij, mbeten në fuqi të gjitha kriteret e tjera të Ligjit për vetura lidhur me mbrojtjen e mjedisit. Vlerësohet se pjesa më e madhe e veturave që do të duhet të regjistrohen janë me targa të Bullgarisë, Kosovës etj, edhe pse nuk ka shifra të sakta për numrin tyre për shkak se Ministria e Brendshme mban evidencë vetëm për veturat me targat e Maqedonisë.

Nga ana tjetër, një pjesë e shoqatave të Ekologjisë kanë kundërshtuar një zgjidhje të tillë ligjore, duke vlerësuar se shteti do të mbushet me vetura të vjetra dhe se të hollat janë më të rëndësishme se shëndetit. “Kjo nismë paraqet një hap para dhe tre hapa prapa. Përderisa lëvdohen me subvencionet për amvisëri apo me drunjtë e mbjellë që gjoja do të luftojnë ndotjen, kemi masa të tilla për stimulimin e sjelljes së veturave të vjetra nga Evropa . Kryesorja do të mbushet buxheti i shtetit, përderisa pasojat e ndotjes që i lejojmë dhe të hollat për sanimin e tyre janë disa herë më të larta”, thonë nga Nisma “02”. Nga atje shtojnë se përderisa Evropa po vendos ndalesë totale për veturat me benzinë dhe dizel, dhe shkon ndaj përdorimit të veturave me oksigjen ne po importojmë vetura të vjetra nga Bullgaria.

Advertisement

Gjithashtu , statistika e Doganës tregon se në pesë vitet e kaluara shtet janë importuar mbi 150 mijë vetura të vjetra që kryesisht janë me standard ekologjik EURO 4, përderisa Evropa po anulon atë duke shkuar kah standardi ekologjik më i lartë EURO 6, që ul më tutje emetimin e gazrave të dëmshëm. Në fillim të vitit hynë në fuqi edhe zgjidhjet ligjore me të cilat veturat nga importi që ndotin paguajnë edhe më shumë tatim për CO2. Njëherësh, prej muajit qershor të vitit 2016 në vend ka qenë e ndaluar importi i veturave më të vjetra se 10 vite, apo kanë mundur të importohen vetura së paku me standardin EURO 4.

Ndryshe, ekspertët e automobilizmit vlerësojnë se tregu i veturave të vjetra në Maqedoni ndikohet edhe nga fuqia e ulët blerësve në shtet dhe pamundësia e blerjes së veturave të reja nga njëra anë. Ndërsa nga ana tjetër është oferta e begatshme nga shtetet evropiane ku për shkak të rregulloreve më të rrepta, pagesës më të shtrenjtë të sigurimit dhe të dhënave të tjera për veturat me kilometrazhë më të madhe, evropianët heqin dorë nga parku i vjetër vozitës që orientohet për eksport në shtetet e Evropës Lindore ku përfshihet edhe Maqedonia. (koha.mk)

Advertisement
Advertisement

You May Also Like