Kurti: Pala serbe me ide të vjetra, ne me katër propozime të reja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit të sotëm në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se takimi ka qenë konstruktiv nga pala kosovare, por jo edhe nga delegacioni serb.
“Takimi ishte konstruktiv nga ana jonë. Ne do të marrim pjesë në këtë proces, i cili është i vështirë. Derisa pala tjetër fliste për ide të vjetra, ne dhamë katër propozime të reja. Propozuam të iniciojmë marrëveshjen e re SEFTA. Propozim i dytë ishte që një ditë pas samitit të djeshëm të NATO-s, ku u dhanë porosi të qarta dhe unanime, të nënshkruhet marrëveshja e paqes mes Kosovës e Serbisë që s’do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Propozimi tjetër ishte që te çështja e të pagjeturve, duhet të largohet nga delegacioni serb, Velkjo Odalloviq, i cili bashkë me Zoran Angjelkoviqin e kanë udhëhequr Kosovën e okupuar. Dhe propozimi i katërt, për pakicat, ishte reciprociteti bilateral, që është parim i përgjithshëm, ku për serbët në Kosovë do të kishim Këshill Nacional siç është në Serbi për shqiptarët e boshnjakët. Tri propozimet tona të fundit u refuzuan, por për SEFTA-n nuk dhanë përgjigje. Shpresoj se do ta konsiderojnë seriozisht propozimin tonë që e bëmë sot”, ka thënë Kurti.

Advertisement

Ai tha se takimi i radhës do të jetë para pushimit të verës, diku në fund të korrikut./RTK/

Advertisement
Advertisement

You May Also Like