









Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas situatës së shkaktuar në Deçan, ku është raportuar për mbi 1500 qytetarë të helmuar.
Kurti, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Greqi, ka thënë ndonëse nuk është me qytetarët i pranishëm fizikisht, sot në Deçan janë zëvendësja e tij Donika Gërvalla dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, siç ka thënë ai, për të konkretizuar mbështetjen e Qeverisë dhe për t’u njoftuar nga afër me situatën.
“Në bisedë me kryetarin e Komunës, Bashkim Ramosaj, jam njoftuar për gjendjen emergjente në komunën e Deçanit.
Qeveria e Republikës së Kosovës do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve të prekur nga infeksioni, deri në përmirësimin e gjendjes”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
“Bashkëndjej brengën dhe shqetësimin tuaj dhe ju dëshiroj shërim sa më të shpejtë”, përfundoi kryeministri Kurti. /Zëri