Kur mërgimtarët ndihmojnë shëndetësinë dhe arsimin!

Donacionet e mërgimtarëve nuk ndalen edhe në sferën e arsimit. Të dhënat e drejtorive të shkollave nëntëvjeçare, por edhe ato të gjimnazit në Dibër thonë se donacionet kryesore nga fillimi i muajit tetor janë në kompjuter, laptop dhe tableta për nevojat e nxënësve me probleme sociale
Vjollca SADIKU
Fuqia materiale e mërgimtarëve dibran në SHBA dhe në disa shtete të tjera të Europës, drejtpërdrejt po ndikon në zbutjen e shumë problemeve financiare edhe në Dibër. Ata përkrahin të afërmit e tyre, por njëkohësisht edhe institucionet që veprojnë në Dibër. Muajve të fundit, ndihmesa e tyre është drejtuar sidomos në sferën e shëndetësisë dhe atë të arsimit. Shoqatat Atdhetare “Dibra” me seli në Nju Jork ka informuar se interesimi tek mërgimtarët dibran në SHBA për të ndihmuar Dibrën është i madh, sidomos tani kur po ballafaqohemi me rreziqet që sjell virusi Kovid-19.
Me hapjen e Kovid-qendrës në Spitalin e Dibrës, tashmë kanë filluar të arrijnë donacione nga mërgimtarët dibran në Amerikë. Ata kanë donuar mjete për sigurimin e oksigjenit dhe pajisjeve tjera që kanë të bëjnë me trajtimin dhe shërimin e pacientëve pozitiv me Kovid-19. Po ashtu, nga mërgimtarët janë pranuar edhe donacione devizore të destinuara për blerje të pajisjeve të nevojshme për Qendrën Kovid në Dibër. Bordi i shoqatës së mërgimtarëve në Amerikë ka informuar se përkrahja për Kovid-qendrën do të vazhdojë. Drejtori i Spitalit të përgjithshëm në Dibër, Baki Alili, ka shprehur falënderime për donacionet që japin për këtë Qendër mërgimtarët tanë nga Amerika, por edhe nga shtetet tjera.
Donacionet e mërgimtarëve nuk ndalen edhe në sferën e arsimit. Të dhënat e drejtorive të shkollave nëntëvjeçare, por edhe ato të gjimnazit në Dibër thonë se donacionet kryesore nga fillimi i muajit tetor janë në kompjuter, laptop dhe tableta për nevojat e nxënësve me probleme sociale. Drejtori i shkollës nëntëvjeçare “Penestia”, Ajet Mullarexha dhe ai i shkollës, “Said Najdeni”, Burim Kaziu, kanë informuar se deri tani kanë arritur afër 300 tableta, donacione këto kryesisht nga mërgata dibrane në SHBA.
Për donacione të shumta ka folur edhe drejtori i gjimnazit “28 Nëntori”, Ramadan Imeri. Sipas tij, deri tani në adresë të gjimnazit kanë arritur afër 100 tableta. Por, edhe ai informon se grupe të mërgimtarëve janë të gatshëm të vazhdojnë me donacionet në interes të një arsimi sa më kualitativ në kohë pandemie. Ndihma e mërgimtarëve në donacione ka vazhduar edhe invidualisht. Shumë familje dibrane tregojnë se kanë marrë donacione individuale nga mërgimtarët tanë nga Italia, Zvicra, Austria, Franca, shtetet e Beneluksit dhe ato skandinave. Përndryshe është për t’u theksuar faktin se mërgata dibrane në kontinuitet ka ndihmuar banorët e vendlindjes. Donacionet s’kanë të ndalur si për përkrahjet e familjeve të tyre, si dhe për institucionet lokale me qëllim që vëllezërit e tyre në Dibër të tejkalojnë problemet sociale e të kenë një jetë më të mirë. (koha.mk)

Advertisement
Advertisement
Advertisement

You May Also Like