Gazetar: Zekirja Haxhiu
Kryeprokurori Ljupço Kocevski ka dërguar të gjithë prokurorët në inspektim të jashtëzakonshëm në Prokurorinë Themelore për ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me të cilën kryeson prokurori Islam Abazi. Qëllimi i inspektimit siç njoftuan nga Prokuroria, është të mbikqyret puna dhe veprimet e deritanishme të prokurorëve publik. Këto aksione erdhën pas akuzave të drejtpërdrejta të kryeministrit Mickoski se lufta kundër krimit dhe korrupsionit po pengohet nga ana e prokurorëve të caktuar, të cilët sëmurën kur duhet t’i procedojnë këto lëndë.
Duke komentuar “zgjimin nga gjumi” të Prokurorisë Publike, kreu i qeverisë Hristijan Mickoski sot tha se nuk e ka ndërmend të përzihet në punën e organeve të drejtësisë por se prokurorët duhet ta bëjnë punën e tyre për të cilën paguhen nga qytetarët.
“Unë vetëm dërgova shumë mesazhe deri te opinioni dhe do të vazhdoj të dërgoj deri te këto dy institucione, edhe te prokurorët edhe gjykatësit. Të bëjnë punën e tyre, të mos jenë partnerë me kriminelët pa dallim nëse janë politik apo kriminelë rruge, por të luftojnë kundër krimit dhe korrupsionit. Dhe pres që të fillojnë të punojnë dhe ta meritojnë pagën të cilën e marrin nga qytetarët e Maqedonisë, e ajo nuk është pak”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Alsat pyeti partitë nga pushteti dhe opozita nëse do të mbështesnin një nismë eventuale për interpelancë ndaj Kocevskit. Koalicioni VLEN është e gatshme të ndihmojë në përmirësimin e drejtësisë, përfshirë dhe shkarkimin e Kocevskit.
“Sigurisht se ne do të mbështesim çdo iniciativë e cila është në drejtim të përmirësimit të kushteve më të mira edhe hetimeve të cilat do të ndihmojnë dhe do të senzibilizojnë keqpërdorimet që kanë ndodhur në RMV. Forma e shkarkimit sigurisht se do t’i respekton rregullat ligjore dhe ne do të jemi përkrahës të çdo iniciative e cila do të ofron shërbim më të mirë për qytetarët”, tha Rijad Shaqiri – Deputet VLEN.
Kjo do të thotë edhe shkarkim të kryeprokurorit?
“Sigurisht se po!”, u përgjigj SHaqiri.
Nga LSDM nuk përgjigjen konkretisht nëse do të mbështesnin shkarkimin e Kocevskit. Akuzojnë se ka presion nga eksekutivi mbi gjyqësorin ndërsa nuk duan t’i fusin të gjithë prokurorët në një thes pasi ka edhe prokurorë të ndershëm.
“Deri tek ne deri te grupi i deputetëve nuk ka arritur asnjë kërkesë ose diçka për të biseduar lidhur me interpelancë ndaj kryeprokurorit publik. Gjithsesi se për të gjitha çështjet të cilat janë në kompetencë të Kuvendit, si grup parlamentar do të bisedojmë, do të koordinohemi dhe do të marrim qëndrim”, tha Jovanka Trençevska – Deputete LSDM.
Levica do të vendosë në bazë të kritereve objektive dhe nuk pranojnë marrëveshje politike.
“Për gjyqësorin nuk duhet të flasim sa jemi të kënaqur. Me 2% besueshmëri nuk mund të thotë askush se është i kënaqur me punën e organeve të drejtësisë. Por fillimisht ne duhet ta shohim atë dokument që të vendosim. Ne sigurisht se do të vendosim në mënyrë objektive dhe jo në bazë të ndonjë marrëveshjeje politike”, theksoi Sashko Jançev – Deputet LEVICA.
Nga Prokuroria njoftojnë se deri në fundvit, do të bëhet inspektim edhe mbi veprimet e repartit për ndihmë ndërkombëtare juridike në Prokurorinë Publike dhe mbi zyrën për lidhje me eurodrejtësinë në prokurorinë republikane. /Alsat.mk
The post Kryeprokurori Ljupço Kocevski, mbikëqyrje të befasishme te “Krimi i Organizuar” appeared first on Alsat.