Krasniqi: Ballkani i Hapur, projekt serbomadh

Njohësi i zhvillimeve rajonale Milazim Krasniqi vlerëson se iniciativa “Open Balkan” është vetëm një iniciativë anakronike, me synime okulte serbomëdha. Sipas tij kjo iniciativë  nga njëra anë ka të  bëjë me përpjekjen për të gjetur një gjethe fiku, për ta mbuluar refuzimin e Bashkimit Evropian ndaj pranimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Ndërsa, nga pikëpamja e Serbisë, iniciativa e tillë është në kontinuitet me idetë dhe projektet e vjetra serbe për dominim në hapësirat ballkanike.

MILAZIM KRASNIQI, NJOHËS I ZHVILLIMEVE RAJONALE

“Ndonëse mbahet e fshehur, arsyeja kryesore e këtij refuzimi ndaj këtyre shteteve të Ballkanit Perëndimor ka të bëjë me pamundësinë që Serbia të disiplinohet dhe të lejojë që shtetet fqinje të saj, Bosnja e Hercegovina e Kosova, po edhe Mali i Zi, të lejohen të funksionojnë si shtete të pavarura, pa ndërhyrjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë kundër tyre”.

Ai sqaron se është tentuar të fshihen dobësitë BE-së me iniciativa parciale e alternative, si Procesi i Berlinit, MiniShengeni përkatësisht “Open Balkan”, që në esencë janë mbindërtime karikaturale edhe mbi vetë Procesin e Berlinit. Krasniqi thotë se projektet serbomëdha, që nga “Naçernanie” e Garashaninit e deri te betimi i Vuçiqit si president i Serbisë, kanë të njëjtin objektiv – krijimin e Serbisë së Madhe.

MILAZIM KRASNIQI, NJOHËS I ZHVILLIMEVE RAJONALE

“Pra, sa i përket Serbisë, edhe “Open Balkan” është brenda kornizës së projekteve serbomëdha, por kësaj here në kërkim të variacioneve që do të mundësonin që të mbetej aktiv projekti për Serbinë e Madhe në realitetet e reja gjeopolitike, që janë të pafavorshme për Serbinë. Në këtë kontekst, Serbia vetëm e shfrytëzon dobësinë e Bashkimit Evropian, siç i pati shfrytëzuar dobësitë dhe kontradiktat e Fuqive të Mëdha në dy deceniet e para te shekullit XX. Po të mos ishte këtu NATO, do të bënte sërish kërdi”.

 

Ndërkaq, sa i përket Maqedonisë së Veriut, futja e saj në këtë iniciativë  sipas Krasniqit mund të kuptohet më së miri me sindromin e Stokholmit.

MILAZIM KRASNIQI, NJOHËS I ZHVILLIMEVE RAJONALE

“Maqedonia e Veriut mezi i shpëtoi komplotit të vitit 2017, me ç’rast u zbulua se disa zyrtarë të inteligjencës serbe ishin aktorë të trazirave të dhunshme në Sobrani e. Tash, kryeministri Zoran Zaev, i cili në ato trazira u përgjak dhe gati u ekzekutua, po kthehet vullnetarisht në përqafimin e dhunuesit të vet”.

Advertisement

Ndërsa, sa i përket Shqipërisë, mbetet e pakuptueshme kjo lëvizje e qeverisë Rama. Futja e Shqipërisë në atë iniciativë më shumë e dëmton Kosovën sesa që i ofron favore Shqipërisë.  Ky është një zhvillim shumë i hidhur në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë e Kosovës. Ai e vlerëson si të pahijshme sjelljen e BDI-së që është kundër qëndrimeve të Kosovës kur bëhet fjalë për “Open Balkan” dhe  thekson se Qeveria e Edi Ramës është e spastruar nga idetë kombëtare. Sipas tij  qeveria e Edi Ramës është në kontinuitet me qeveritë e periudhës hoxhiste, kur ka pasur periudha të vëllazërisë me jugosllavët, në dëm të shqiptarëve, që ishin të okupuar nga Jugosllavia.

MILAZIM KRASNIQI, NJOHËS I ZHVILLIMEVE RAJONALE

“Qeveria e Edi Ramës ndjek përmbushjen e interesave të oligarkëve, e jo të kombit shqiptar. Nga ai pozicion, kryeministrit aktual të Shqipërisë Kosova i duket primitive, nacionaliste, antieuropiane. Ndërkaq, e vërteta është se Kosova po lufton ende për mbijetesë si shtet, në një rrethim armiqësor, ku tashmë participon edhe qeveria e Edi Ramës. Pra, qeveria, jo Shqipëria”.

Analizat e Krasniqit tregojnë se  Ballkani për shqiptarët ka qenë jo vetëm burg, po edhe varrezë, specifikisht që nga momenti kur shqiptarët kanë mbetur pa ombrellën e Shtetit Osman. Ai thotë se shtetet ballkanike, Greqia, Serbia dhe Mali i Zi kanë bërë gjenocid kundër shqiptarëve, sidomos Serbia e Greqia. Në komplotin e shteteve ballkanike, që me eufemizëm emërtohet si Lufta e Parë Ballkanike, 27% e shqiptarëve të Vilajetit të Kosovës janë vrarë, ndërsa 35% janë detyruar të arratisen. Pra, 62% e shqiptarëve të atij territori ose janë vrarë ose janë dëbuar. Pra, Ballkani në fillim të shekullit XX është shndërruar në një varrezë masive për shqiptarët. /SHENJA/

Advertisement
Advertisement