Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se do të rriten pensionet nga muaji tetor për 20 për qind për në pjesë të këtyre kategorive.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se pensionet do të kenë rritje edhe nga muaji janar i vitit 2025 për kategoritë e dala nga lufta.
“Duke filluar nga ky muaj tetor 2024 do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet që janë si vijon: Pensioni bazik i moshës, pensioni kontribut dhënës i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për persona të verbër, pensioni për persona paraplegjik dhe tetra plegjik, pensioni familjar, pensioni invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës”, ka thënë Kurti.
“Ndërkaq nga muaji janar i vitit 2025, pra për më pak se 3 muaj, do të rriten për 20% pensionet e përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, përkatësisht, familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre. Kjo për arsyen se për ndryshimin e këtyre pensioneve duhet të ndryshohet edhe tabela që është pjesë e ligjit si Shtojcë”.
“Te këto kategori, për familjet e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të të zhdukurve të UÇK-së, që kanë më shumë se një dëshmor apo të zhdukur, do të ndryshohet edhe formula e pensionit, duke e rritur për 50% të pensionit bazë për çdo dëshmor apo të zhdukur tjetër që ka familja, e jo të rritet me nga 20% apo 10% siç ka qenë deri më tani. E njëjta formulë do të përdoret edhe për familjet e viktimave dhe të zhdukurve civilë, ku për çdo viktimë apo të zhdukur tjetër që ka familja, pensioni do të rritet për 50% të pensionit bazë”.
