Korrigjim apo kod i ri penal? Një pjesë e deputetëve pranojnë se ndryshimet do të ishin të dëmshme

Gjykata Kushtetuese ia hodhi topin Kuvendit për të zgjidhur çështjen me Kodin Penal. Në seancën e djeshme, gjykatësit kushtetues i dhanë kuvendit 6 muaj afat për të korrigjuar dispozitat kontestuese ligjore të miratuara në shtator 2023 që ua ulën dënimet funksionarëve. Nëse Kuvendi miraton ndryshimet, ato nuk do të kenë fuqi retroaktive, pra ligji do të jetë i vlefshëm që në momentin e miratimit, ndryshe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese që do të rivendosë ligjin duke shfuqizuar dispozitat kontestuese. “Nuk kemi vendim klasik për të nisur procedurë që në fazën e dytë do të sillte ose shfuqizimin e ligjit ose anulimin e tij për të shmangur krijimin e një vakumi ligjor në politikën penale. Për të shmangur çdo pasojë të dëmshme në sistemin gjyqësor gjatë zbatimit të Kodit Penal dhe këtyre ndryshimeve, ne vendosëm t’i japim Kuvendit afat  prej 6 muajve për të përmbushur qëndrimet tona”, tha Darko Kostadinovski. Nga VMRO-DPMNE thonë se tani është e rëndësishme ajo se do të sillte kodi i ri penal. “Nëse Kuvendi miraton ndryshime në Kodin Penal, ato do të hyjnë në fuqi që nga momenti i miratimit. Megjithatë, ajo që është e rëndësishme të theksohet është se Qeveria është duke punuar për një Kod Penal krejtësisht të ri, i cili do të jetë një version më modern europian që do të përfshijë të gjitha komentet e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë dhe që do të kontribuojë që të mos kemi më zbrazëtira të tilla që shfrytëzohen për të shmangur përgjegjësinë”, tha Brane Petrushevski. Edhe kryetari aktual i LSDM-së, Venko Filipçe, e përkrah miratimin e Kodit të ri Penal, edhe pse pranon se ndryshimet ishin zgjidhje e dëmshme. “Ne mendojmë se duhet miratuar një Kod i ri Penal, i cili tashmë është duke u hartuar, për të cilin është punuar me ekspertë ndërkombëtarë dhe që është në përputhje me të drejtën europiane. Unë absolutisht besoj se ndryshimi i ligjit që u miratua nuk është adekuat”, tha Venko Filipçe. As VLEN e as Fronti Europian nuk deshën të shprehin qëndrimin e tyre për korrigjimin e ndryshimeve në Kodin Penal nga Kuvendi. Ato u miratuan në shtator të vitit 2023 në kohën kur në pushtet ishte koalicioni LSDM dhe BDI dhe kjo u bë duke keqpërdorur flamurin europian. Pas një viti e gjysmë, këto ndryshime kanë shkaktuar dëme të mëdha duke i shpëtuar ish funksionarët nga përgjegjësia. Dënimet u reduktuan dhe shumë prej rasteve u vjetërsuan, si Target&Fortesa me Sasho Mijallkov, Mile Janakievski u lirua nga “Toplik” dhe “TNT”, si dhe Nikolla Gruevski u lirua nga dënimi me 9 vjet burg për “TNT”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *