Përfaqësuesi special i Qeverisë për Bullgarinë, Buçkovski zotohet se çështja mes Shkupit e Sofjes do të zgjidhet, megjithatë nuk garanton se kjo do të ndodhë deri më 8 dhjetor kur BE-ja përfundimisht do të vendosë nëse do t’i fillojë negociatat për anëtarësim me vendin ose jo.
Derisa një ditë më parë Qeveria konfirmoi se me palën bullgare po përpiqen ta harmonizojnë një udhërrëfyes të përbashkët për zbatimin e Marrëveshjes së 2017-tës, Ministri i Jashtëm, Osmani tha se përpjekjet vazhdojnë në forma të ndryshme.
Krerët e komisioneve të dyja vendeve u përplasën sot një ditë para takimit ku pritet të diskutohet për periudhën e mesjetës. Kreu i palës bullgare, Angell Dimitrov tha se politikanët e dy shteteve duan progres, por se historianët e Maqedonisë së Veriut bëjnë çmos që kjo të mos ndodhë. Dimitrov kritikoi historianët maqedonas, që sipas tij presin situatë të re për të bërë analizë kritike, në vend se ta tregojnë të vërtetën dhe ta përgatisin shoqërinë për këtë. Kreu i palës maqedonase, Dragi Gjorgjiev iu kundërpërgjigj se është shkencërisht e papranueshme që puna e tyre të diktohet nga kërkesat politike. Theksoi se të kërkosh arsye për dështim të takimit, nuk i ndihmon realizimit të qëllimeve të përbashkëta.
Anesa Salihu-AlsatM