Koalicioni ASH-AAA ka ngritur interpelancë ndaj ministrit Spasovski

Deputetët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë ngritur sot interpelancë ndaj ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovski. Ky koalicion e ka ndërmarrë këtë hap pas zhvillimeve të djeshme në lidhje me ish shefin e DSK, Sasho Mijallkov, transmeton Portalb.mk.

“Pas gjoja ikjes së mëparshme të Gruevskit dhe ikjes së tashme të Mijallkovit, është bërë e patjetërsueshme edhe ikja e Zaevit dhe e kësaj qeverie, që sigurinë e këtij shteti e ka vendosur në kalkulimin e biznesit familjar, ndërsa identitet shtetëror e ka bërë narkobiznesin dhe korrupsonin. Megjithatë, ashtu siç ishte edhe reagimi i Prokurorisë, ikja e tillë nuk ka mundësi të ndodhë pa ndihmën e dikujt nga pushteti, ndërsa në këtë rast na bie të themi se përgjegjës për këtë nuk mund të jetë askush tjetër, pos policit të parë të këtij shteti, ministrit të Punëve të Brendshme. Se a e ka përcjellë vetë ai, a i ka organizuar përcjellje, a i ka mbyllur sytë apo ka qenë në gjumë kur ai ka ikur, për këtë duhet të përgjigjet ai, por për neve emri i përveçëm i kësaj përgjegjësie është Oliver Spasovski”, deklaroi Skender Rexhepi, koordinator i grupit parlamentar të këtij koalicioni.

Ai ka shtuar se, meqë kjo nuk është hera e parë që atij i ndodhë kjo, deputetët e koalicionit ASH-AAA konsiderojmë se ai duhet të përballet me “Kuvendin e Popullit dhe ta ridëshmojë besimin e deputetëve”.

“Për këtë arsye, sipas nenit 45 të Rregullores së punës së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Veriut, ne – deputetët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA – sot kemi ngritur interpelancë ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovksi. Me këtë rast i drejtohemi kryetarit të Kuvendit, që konform nenit 47 të Rregullores, të ftojë seancë plenare me këtë pikë të rendit të ditës, ndërsa që këtu u drejtohemi edhe të gjithë deputetëve të Kuvendit, që janë PRO drejtësisë në këtë vend dhe KUNDËR manipulimit me drejtësinë dhe sigurinë, që ta mbështesin këtë iniciativë. Tash të gjithë deputetët e kanë mundësinë që ta dëshmojnë veten a janë për arrestimin e Mijallkovit apo e mbështesin ikjen e tij”, tha Rexhepi.

Advertisement

Ndryshe, ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, është arratisur të dielën, pak para se gjykata ta shpallë aktgjykimin për rastin “Target-Fortesa” në të cilin ai është i dyshuar se e ka kryer përgjimin masiv në RMV. MPB dje e nxori me fotografi dhe biografi të shkurtër në tablonë e personave që kërkohen me fletë-arrest të brendshëm dhe ndërkombëtar. Prokuroria dyshon se dikush i ka ndihmuar Mijallkovit, pasi policia ka qenë duke e vëzhguar atë dhe ka pasur kontakt vizual, deri pak para arratisjes. Reagime të shumta për arratisjen e tij ka pasur si nga qytetarët nëpër rrjetet sociale, por edhe nga kryeministri e presidenti. Kërkohet përgjegjësi, por ende nuk është gjetur përgjegjësia për kushëririn e Mijallkovit, Nikolla Gruevski, i cili u arratis nga Maqedonia e Veriut në Hungari, për t’i shpëtuar burgut. Për dallim prej tij, Mijallkov kishte deklaruar se nuk është “stili i jetës së tij, ikja”, megjithatë iku. Me kërkesë të MPB-së, është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për Mijallkovin.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like