​Klubeve sportive në Kosovë u kërkohet të kenë staf mjekësor dhe aparaturë adekuate

Estimated read time 4 min read

Sporti është njëri nga aktivitetet më kreative dhe që zgjon interesim të lartë por edhe rrezikshmëria e të angazhuarit në këtë fushë është mjaft e lartë. Ka shumë raste kur lojtarët pësojnë lëndime të rënda apo edhe kolapsojnë në fushë. Në raste të tilla intervenimi i personelit mjekësor është jetik.

Në Kosovë, klubet sportive – sidomos ato të futbollit ku intensiteti i lojës është shumë i lartë – nuk kanë staf mjekësor dhe nuk janë të pajisura me aparaturën adekuate.

Specialisti i Mjekësisë Sportive, Bernard Tahirbegolli thotë për KosovaPress se në mungesë të rregullativës ligjore klubet duhet të kenë së paku një mjek prezent në ndeshje, por edhe gjatë seancave stërvitore.

“Fatkeqësisht te ne mungon rregullativa ligjore që e obligon pjesëmarrjen e mjekut të sportit në klubin si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje. Pavarësisht se ne jemi pak si komunitet i mjekëve të sportit në Kosovë, kjo mund të zëvendësohet me trajnime që çdo klub ta ketë mjekun e klubit i cili e kryen trajnimin përkatës dhe është prezent me klubin vazhdimisht, jo vetëm në stërvitje e ndeshje por edhe në kampe, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, jo vetëm mjeku, por mjeku i përgatitur për të reaguar në situata të tilla”, thotë Tahirbegolli.

Ai shton se çdo klub duhet ta ketë një mjek, një defibrilator dhe një person që ka njohuri për ta përdorur atë në raste urgjente.

“Realisht është e nevojshme që në çdo klub, në çdo objekt sportiv të ketë të paktën një defibrilator dhe një person i cili është i trajnuar për ta përdorur atë. Do të thotë, kur ka gara ose stërvitje, çdo objekt ta ketë defibrilatorin e vet edhe ta paktën një person. Meqë trajnerët janë vazhdimisht prezentë me sportistë duhet edhe ata ta kenë këtë trajnimin e mbështetjes bazike për jetën, ose ndihmën e parë siç njihet, të mësohen disa persona për ta dhënë ndihmën e parë nëse autoambulanca ose mjeku nuk është aty”, thekson Tahirbegolli.

Tutje, ai thotë se Qendra Kombëtare e Mjekësisë Sportive është e gatshme t’i ndihmojë klubet dhe federatat me staf mjekësor, nëse ato paraqesin kërkesë për këtë.

“Ne si Qendër Kombëtare e Mjekësisë Sportive dhe si mjekë sportivë jemi të gatshëm ta ndajmë eksperiencën, përvojat dhe njohuritë edhe me klubet edhe me personelet shëndetësore që janë në federata dhe jemi të gatshëm për të bashkëpunuar edhe me ftesa të tjera bashkë me sportet kur është e nevojshme. Do të propozonim që të kemi një memorandum bashkëpunimi në mes Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komitetit Olimpik të Kosovës dhe ShSKUK-së që t’iu mundësojmë kombëtareve kur kanë grumbullime, që të ftojnë mjekë që shkojnë bashkë me kombëtaren. Kjo do t’ua lehtësonte barrën financiare dhe profesionale edhe federatave edhe kombëtareve që të mos kenë situata të padëshirueshme kur nuk kanë kapacitete për të reaguar”, vijon më tutje Tahiregolli.

Advertisement

Ai u bënë thirrje klubeve sportive që gjendja shëndetësore e sportistëve të verifikohet para nënshkrimit të kontratës, ose së paku para nisjes së aktivitetit fizik.

“Realisht po mundohemi ta vetëdijesojmë komunitetin e sportit që patjetër të vijnë dhe ta bëjnë një kontroll mjekësor edhe para transferit të sportistit që të konstatohet para kontratës, para fillimit të stërvitjeve të konstatohet se gjendja shëndetësore e sportistit është në rregull, nuk ka ndonjë pengesë. Por, përveç kësaj, patjetër se çdo sportist në Kosovë para se ta fillojë një aktivitet fizik, para se të licencohet në ndonjërën nga federatat duhet të vijë dhe të bëjë një verifikim paraprak të gjendjes shëndetësore që është në rregull, nuk ka pengesa fizike dhe shëndetësore që e pengojnë atë për të marrë pjesë aktive në sport dhe gara”, thekson Tahirbegolli.

Në fund të muajit të kaluar, futbollisti i klubit të futbollit “Vushtrria”, Erjon Morina pati probleme serioze shëndetësore gjatë stërvitjeve dhe rikthimi i tij në fushë nuk është përcaktuar ende.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like