Në dhjetor pritjet i kishte se do të mbetet drejtoreshë e Klinikës “Kozle”. “Po unë shpresoj se do të mbetem drejtoreshë”, pati deklaruar Karolina Simonovska. Por ky vend s’paska qenë “i shkruar” për Karolina Simonovskën. Pas disa muajsh plot tension në këtë klinikë, pasi të punësuarit në vazhdimësi janë ankuar për keqmenaxhim dhe presionin e saj, madje me letra të hapura deri te Kryeministri, u.d. drejtoreshë Karolina Simonovska u shkarkua! “Ministria e Shëndetësisë falënderon për angazhimin e deritanishëm drejtoreshën e mëparshme, dr. Karolina Simonovska”, tha Ministria e Shëndetësisë. Drejtoreshë e re e Institutit për sëmundje respiratore te fëmijët “Kozle” është emëruar prof. dr. Katerina Boskovska – subspecialiste në pulmologjinë pediatrike, e cila prej më shumë se njëzet vitesh është pjesë e ekipit të kësaj instituti. Në një deklaratë për TV21, premtoi bashkëpunim të mirë me ekipin e Spitalit Kozle si dhe me mediat. “Ky funksion për mua është një sfidë e madhe, por shpresoj që unë me ndihmën e kolegëve dhe bashkëpunëtorëve do të arrijmë të kthehemi në normalitet dhe ta ngrisim rejtingun për mbrojtje shëndetësore të pacientëve më të vegjël, sepse ne jemi spital për fëmijë dhe gjithmonë kemi qenë spital me renome, vetëm se kohëve të fundit disa punë dolën jashtë kontrollit, megjithatë duhet kohë, por kam besim në vetvete dhe në ekipin tim se do të jetë gjithçka në rregull”, deklaroi Katerina Boshkovska. Shkarkimi i Karolina Simonovskës erdhi një ditë pasi ajo me një dokument zyrtar ua ndaloi mediave që mediat mos t’ia përmendin emrin. Ankesat e një pjese të madhe të stafit ndaj saj kanë qenë për shumë çështje, si shkarkimi i ekspertëve duke lënë ekipin me mjekë të rinj pa përvojë, menaxhim i papërshtatshëm, shkelje të procedurave, keqpërdorimi i resurseve, sjellje të papranueshme, ngacmim psikologjik dhe shpifje. Krejt këto Simonovska i pat hedhur poshtë duke i quajtur gënjeshtra me qëllim ta njollosin punën e saj.
Klinika “Kozle” gjen paqe! Shkarkohet Karolina Simonovska, në vend të saj vjen Katerina Boshkovska
Advertisement
Advertisement
Advertisement
+ There are no comments
Add yours