










Flamuri shqiptar – shqiponja dykrenëshe e zezë në sfondin e kuq – është simboli më sublim i shprehjes së identitetit të shqiptarëve, kudo që jetojnë ata. Ky flamur ka mbajtur gjallë qenësinë shqiptare në rezistencën kundër pushtuesve të huajve, sidomos gjatë shekullit XX. Flamuri është dëshmi e besnikërisë ndaj atdheut dhe ndaj kombit. Prandaj, përderisa në pothuaj të gjitha shtetet e botës presidenti betohet mbi Biblën apo Kuranin, në Shqipëri betimi i tillë bëhet para flamurit.
Pas 28 nëntorit 1912, shqiptarët e Shqipërisë ishin të lirë ta përdorin këtë simbol kombëtar, por e njëjta nuk vlente për shqiptarët e Kosovës. Ishte pikërisht ky mohim që cenonte më shumti përkatësinë e tyre etnike, por edhe që përforconte bindjet patriotike dhe ndjesinë për rezistencë ndaj pushtetit jugosllav.
Historia e përdorimit të flamurit shqiptar në ish-Jugosllavi ndryshonte varësisht nga klima politike: herë lejohej përdorimi, e herë ndalohej – si ju tekej serbëve që s’na bënin hesap. Pas Luftës së Dytë Botërore, me mbetjen sërish të padrejtë të Kosovës në ish-Jugosllavi, në heshtje dhe pa asnjë vendim u ndalua përdorimi i tij. Madje, shumë shqiptarë u dënuan me burg të rëndë, vetëm pse atyre u është gjetur ky flamur.
Gjërat nisin të ndryshojnë pas rënies së Aleksandër Rankoviqit në Plenumin e Brioneve të vitit 1966. Në vitin 1967, delegacioni i Kosovës i prirë nga Veli Deva, në takimin e parë me liderin e ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito, ndër të tjera kishte iniciuar edhe çështjen e lejimit të përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar. Zyrtarizimi i këtij lejimi u bë në mbledhjen e Kryesisë së Lidhjes Socialiste të Kosovës, më 4 tetor 1968, në Prishtinë, pasi paraprakisht ishte dhënë pajtimi në nivelet më të larta shtetërore të Federatës jugosllave. Mirëpo, ky vendim erdhi pasi më 1968 shpërthyen demonstratat e studentëve shqiptarë të Kosovës, të cilët kërkuan të drejtat e tyre kombëtare: përdorimin e gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar. Këto demonstrata ishin kthesa kryesore në rrjedhat politike të Kosovës. Kërkimi i përdorimit të flamurit ishte luftë për identitet. E, ky identitet ishte halë në sy për serbët. Prandaj, më 1968, babai i kombit serb, Dobrica Qosiq, thoshte: “Po ua lejuam flamurin, ata pastaj do të kërkonin edhe republikën, shtetin, dhe madje bashkim me Shqipërinë”.
Flamuri u lejua, por në vitet e ‘80-ta të shekullit nisën diskutimet edhe për ndërrimin e pamjes së tij, vetëm e vetëm të dallonte nga flamuri kombëtar që përdorej në Shqipëri. Një gjë e atillë u arrit deri-diku, duke e imponuar një yll të madh majtas, pra para shqiponjës dykrenëshe. Por, sa më shumë cenohej flamuri e luhej me të, sa më shumë që trashej ylli, aq më inati i vinte shqiptarit e më këmbëngulës bëhej ai në luftën e tij për liri.
Kosova u bë shtet 40 vite pas “legalizimit” të 1968-s. Profecia e Qosiqit u realizua jo krejt, sepse bashkimi me Shqipërinë nuk ndodhi. Ndërsa, flamur i Kosovës u bë një hartë e verdhë e Kosovës me gjashtë yje lartë, në një sfond të kaltër.
Sidoqoftë, shqiptari i Kosovës, i Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë e Luginës së Preshevës, ndonëse në aspektin administrativ i “bindet” flamujve shtetërorë, identitetin prapë e shpreh përmes flamurit kombëtar. Për të dëshmuar besnikërinë ndaj çështjes kombëtare dhe identitetit shqiptar, ata i përkulen flamurit dhe e puthin me pietet, siç bëri Isa Boletini në Vlorë, më 1912.
Flamuri është edhe thelbi i himnit kombëtar. Derisa tek popujt tjerë esenca e himneve ndërlidhet me atdheun, kombin, luftën, lirinë, sundimtarët, Zotin, tek shqiptarët në qendër është flamuri.
“O Flamur, flamur, shenj’ e shenjtë/ tek ti betohemi këtu/ për Shqipërinë, atdheun e shtrenjtë/ për nder’ edhe lavdimn e tu”, thotë një varg i himnit.
Me këtë flamur u shpallë pavarësia Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Gjatë historisë atij i shtoheshin “dekore”: herë përkrenarja e Skënderbeut, herë simbolet fashiste, e herë ylli i Davidit apo ai komunist. Por, thelbi nuk u ndryshua: shqiponja dykrenëshe e zezë me sfondin e kuq. Me këtë flamur kuqezi u bë edhe betimi në luftën e fundit në Kosovë, në Maqedoni dhe në Luginë të Preshevës.
Prandaj, “rreth flamurit të përbashkuar/ Me një dëshir` e një qëllim”, duhet të jemi të gjithë ne, siç thonë vargjet e para të himnit tonë kombëtar.
Pa marrë parasysh frustrimet që shqiptarët i kanë me origjinën e këtij himni, me muzikë dhe tekst të adaptuar rumun, ky himn është mishëruar në psikologjinë dhe patriotizmin shqiptar. Prandaj, me të drejtë shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, thotë se frikën dhe optimizmin e mos shuarjes si komb shqiptarët e kanë përforcuar edhe nga Himni Kombëtar.
E, siç dihet, himni kombëtar është Hymni i Flamurit. Prandaj, kush nuk lufton për flamurin, “ai është i lindur tradhëtor”. Pikë.
***
NJËRI VERSION I PREJARDHJES SË SHQIPONJËS DYKRENËSHE
Shqiponja ka qenë dikur në periudhën e Romës antike simbol i këtij shteti. Si simbol i Romës shqiponja u përdor edhe nga strategët e saj si Kaj Mari, Luç Serg Katilina, Pompeu i madh, Cezari etj. P.sh. ky i fundit përdorte si simbol të tij shqiponjën e artë të vendosur në një fushë të kuqe. Po kështu veproi me stemën e Cezarit edhe i nipi Oktavian Augusti, i cili u pasua më vonë edhe nga Konstantini i madh.