Historia e Haki Tahës, njeriut që vrau Milladin Popoviqin

Një atentat në mes të Prishtinës. Pastaj një vetëvrasje. Ishte vrasja e Milladin Popoviqit një veprim nacionalist i Haki Tahës, apo eliminim i UDB-së? Çfarë fshihet pas vrasjes së mikut malazez të Enver Hoxhës.

Nëse pesë rojat partizane, që ruanin komandantin e qarkut të Kosovës, 15 marsin e 1945 bënin një lojë të vërtetë shahu, apo një lëvizje të detyruar filash, kjo ka mbetur një enigmë më vetvete. Por, e sigurt është se vëmendja e tyre u shqetësua pak nga figura e gjatë e një 28-vjeçari, që s’u foli dhe drejtoi sytë e gjelbër nga hyrja e ndërtesës së Komitetit Krahinor të Kosovës.

Pak minuta më vonë, po këto sy paksa më të turbullt iu drejtuan daljes, përsëri pa tërhequr vëmendjen dhe pa shqetësuar lojën e partizanëve jugosllavë. Në çastin që Milladin Popoviqi do të gjendej i ekzekutuar me tre plumba, dy në gjoks e një në kokë, mbi tryezën e tij të punës, sipas një versioni ballkanik të “herostratit”, me fishekët e mbetur të 15-shes, gjakovari Haki Taha do të vriste veten publikisht në qendër të Prishtinës.

Ajo që ndodhi mesmarsin e vitit 1945, pak muaj pasi ishte “çliruar” Kosova, është një ndër të rrallat histori që edhe po të kishte një “version” tjetër të ngjarjeve, përsëri do t’i falte viktimës dhe vrasësit të njëjtin fat. Që të dy do të kishin vdekur nga tuberkulozi. Por, nëse malazezi Milladin Popoviq, natyrisht do të kishte jetë pak më të gjatë, gjakovari Haki Taha, marsin e 1945 jetonte ditët e fundit në këtë botë. Që një njeri i dënuar nga natyra me vdekje të parakohshme të kryejë një vrasje, ky është një fakt historikisht i pranueshëm. Por, ky nuk u bë kurrë shpjegim për një nga vrasjet më të mistershme historike, që lidhin Shqipërinë me Kosovën.

Askush nuk mundi të thoshte se kosovari Taha e vrau Milladin Popoviqin, një figurë të përmasave jo të zakonta për kohën, vetëm nga dëshpërimi i vdekjes që e priste. Pas kësaj dite që të dy u bënë heronj të llojit të vet, për palë që nuk do kishin kurrë interesa të përbashkëta. Mbi atentatin, dy figurat dhe të kaluarën e tyre u ngritën dhe dy alibitë më të mëdha të kësaj ngjarjeje, që shërbyen politikisht për shumë kohë.

Dëshmitarët e paktë të mbetur gjallë, thonë se Hakiu nacionalist e vrau komunistin që kishte bashkëpunuar ngushtë me Enver Hoxhën se kishte shitur Kosovën dhe se ishte një ndër shkaktarët kryesorë të ndarjes së fundme të dy pjesëve me një etni. Kurse, për më shumë se 50 vjet Enver Hoxha tha, i bindur, se në fund të jetës Taha u përdor si kamikazi më i mirë e UDB-së për të shuar një ndër jugosllavët më pro- shqiptar.

MILLADINI I TITOS APO ALIU I ENVERIT

I pari që e ndjeu fundin e keq të bashkëpunëtorit të tij malazez qe Enver Hoxha. Tre muaj para se të çlirohej Shqipëria, gushtin e vitit 1944, marshalli Tito dërgoi urdhrin se Milladin Popoviqi duhej të kthehej në mënyrë urgjente në Jugosllavi. Kasnecët e Titos i kthyen mbrapsht Hoxhës kërkesën që Milladini të qëndronte edhe disa muaj pranë tij, duke thënë se “Popoviqi po dërgohej për një detyrë tjetër dhe duhet të raportonte për gjendjen në Shqipëri”. Enver Hoxha i lejoi vetes vetëm një pyetje: “Me ç’rrugë do të shkonte Milladini në Jugosllavi?”

“Mal më mal i përgjigjen, jemi akoma në luftë”.

Kjo alternativë iu duk e rrezikshme diktatorit të ardhshëm shqiptar. Për njeriun që i kishte ndenjur afër për katër vjetët e luftës me një besnikëri të çuditshme për llojin që i përkiste, Hoxha ndërmjetëson edhe tek aleatët. Ai u kërkon oficerëve të misionit anglez në Shqipëri që me anijet ose aeroplanët, që shkonin në Itali ta kalonin edhe Milladinin.

Gjashtë muaj para se të vritej Milladin Popoviqi mbërriti në Bari me emrin shqiptar “Ali Gostivari”. Po pse duhej të kishte frikë Enveri për jetën e Milladinit? Të fundmit jugosllav që kishte mbërritur me misione “bashkëpunimi” me komunistët shqiptarë, nuk kishin gjetur shumë pika të përbashkëta me malazezin Milladin Popoviq, që Enver Hoxha e kishte kthyer në “Ali Gostivarin”. Por, kjo nuk ishte hera e parë që shqiptarizimi ose më mirë enverizimi i Milladinit i bezdiste njerëzit e Titos.

Advertisement

Popoviqi kishte mbërritur në Shqipëri verën e 1941-it. I arrestuar nga fashistët në Mitrovicë, ai ishte dërguar në një kamp përqendrimi. Lirimi i tij nga burgu ishte aksioni i parë që ndërmorën së bashku, para themelimit të PKSH-së tri grupet komuniste shqiptare dhe ndoshta favori i parë që Milladini i kishte borxh ose “ia dinte për nder” Enver Hoxhës.

Që nga kjo kohë, Popoviqi u bë i pranishëm në thuajse që të gjitha lëvizjet e kreut të komunistëve shqiptarë dhe i vetmi jugosllav, që ia përkrahte idetë edhe kur “qendra” ishte kundër. Influenca e tij tek Enveri ishte e deklaruar. Por, i pranishëm në mbledhjen themeluese të PKSH-së, Milladin Popoviqi së bashku edhe me Dushan Mugoshën, u bënë zemra e një konflikti që do të vazhdonte gjatë mes komunistëve kufitarë. “Jugosllavët hodhën pretendimin se dy komunistë jugosllavë, e kishin fjalën për Milladinin dhe Dushanin, krijuan Partinë Komuniste jugosllave”, thoshte Enver Hoxha, duke struar me bindje se “Milladini asnjëherë nuk i ka veshur vetes merita që nuk i takojnë… përkundrazi, hidhte poshtë çdo aluzion që mundoheshin t’i bënin të dërguarit e Titos për t’i atribuar një rol që nuk i takon”.

Por, Milladini u bë “jugosllavi internacionalist”, që megjithëse zyrtarisht nuk u quajt kurrë i dërguari i Titos, ishte nyja e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave e viteve të luftës. Përkrahësi i Enverit që në kundërshtimin e krijimit të një shtabi interballkanik, prishjen e marrëveshjes së Mukjes, rezultatet e konferencës së Bujanit, Milladini u bë i vetmi jugosllav që kreu komunist shqiptar i besonte. Në gjurmët e para të “tradhtisë jugosllave” Enveri donte thjesht të ruante jetën e të besuarit të vet malazez.

ATENTATOR MES NACIONALIZMIT DHE UDB-së

“Haki Taha, si nacionalist që ishte e vrau Milladin Popoviqin, sepse ai kishte grisur tekstin e Marrëveshjes së Mukjes dhe së bashku me Enverin kishin lënë Kosovën për herë të dytë jashtë kufijve të Shqipërisë”.

Ky është versioni i të gjithë atyre që e kanë njohur gjakovarin Haki Taha dhe që janë ende gjallë.

“Haki Taha i përkiste asaj kategorie kosovarësh që duke njohur të dyja anët e realitetit shqiptar, prisnin që paslufta të sillte edhe bashkimin e Shqipërisë me Kosovën”, thotë Sadik Bekteshi, një prej shokëve të atentatorit në konviktin “Malet Tona”, kur Hakiu vazhdonte para luftës gjimnazin e Shkodrës. “Ai që në shkollë ishte nacionalist dhe shpesh në bisedat tona këmbëgulte se duhej gjetur momenti që të bashkoheshim”, thotë Sadiku.

Pas gjimnazit të Shkodrës, Haki Taha, në moshën 23-vjeçare vazhdoi Normalen e Elasanit, kurse fillimi i luftës e kthen atë përsëri në Kosovë.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like