Gostivar – çdo i dyti i testuar, pozitiv me korona!

Qendra e Shëndetit Publik në Gostivar ditë më parë është furnizuar me teste-antigjen, ndërsa mjekët thonë se rezultatet tregojnë se çdo i dyti pacient që testohet, ka rezultuar pozitiv me Covid-19

Urim  HASIPI

Gostivar, 2 dhjetor – Kohëve të fundit është shtuar dukshëm numri i personave që dëshirojnë të bëjnë testin  e shpejtë Covid-19 në Gostivar. Krahas atyre që duhet të bëjnë testin me rekomandim të mjekëve amë, janë të shumtë personat që me vetiniciativë drejtohen në laboratorin ku kryhen këta testime. Nga Shtëpia e shëndetit në Gostivar pohojnë se janë duke u përballë me një fluks të madh të qytetarëve që shkojnë për të kryer testimin, kurse një numër i tyre kthehen pasi që nuk kanë asnjë simptomë. Kurse të drejtën e testimit e kanë vetëm ata persona, të cilët paraprakisht kanë caktuar termin.

“Numër i madh i qytetarëve me vetiniciativë kërkojnë të testohen për të parë se a janë të infektuar me virusin Covid-19. Ky fluks është i madh dhe nuk mund të testohen ata që e kërkojnë një gjë të tillë. Kemi kërkesa që pagesa të bëhet edhe privatisht, por nuk është e mundur, sepse e tërë procedura shkon përmes sistemit Termini Im, kurse numri është i limituar. Pacienti mund të bëjë test vetëm nëse është vizituar nga ana e mjekut amë”, thonë nga ky institucion. Megjithatë, ka edhe prej atyre që revoltohen se pse nuk mund të kryejnë testimin Covid-19. “Ne shpesh përballemi me qytetarë të revoltuar se pse nuk u bëjmë testimin. Tentojmë t’i bindim ata se një test të tillë mund të bëjnë vetëm përmes mjekut amë dhe nuk është në dorën tonë që të vendosim se cilin do ta testojmë e cilin jo”, nënvizojnë nga ky institucion shëndetësor në Gostivar. Kohë më parë, Shtëpia e shëndetit u furnizua me 250 teste të shpejta, ku gjysma e tyre u harxhuan për një kohë të shpejtë. Nga ky institucion shpresojnë se edhe në të ardhmen do të furnizohen me teste, kurse do të arrijnë në kohë të zbulojnë personat që kanë virusin korona. Ky institucion ditë më parë është furnizuar me teste-antigjen dhe mjekët thonë se rezultatet tregojnë se çdo i dyti pacient që testohet, ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Advertisement

Procedura e testimit zgjatën vetëm 30 minuta. Në rajonin e Gostivarit, Vrapshtit dhe Mavrovës-Rostushës,  situata me Covid-19 vazhdon të jetë serioze, pasi të dhënat e javës së kaluar tregojnë se në këta tre komuna, 408 persona kanë rezultuar pozitiv me korona, ndërsa janë shëruar 210 persona. Jo vetëm rastet e reja me Covid-19 shënojnë rekord në këto tre komuna, por rekord kanë shënuar edhe vdekjet, pasi raportohet se 16 persona gjatë javës së kaluar kanë humbur betejën me këtë virus. Pikërisht këto shifra të larta me koronavirus, kanë bërë që në Gostivar, në shërbim të spitalit të jetë edhe Reparti i Neurologjisë me 20 shtretër dhe staf mjekësorë. Që kur u paraqit rasti i parë me Covid-19, e deri javën e kaluar në rajonin më të gjerë të Gostivarit janë regjistruar 2516 persona  të infektuar, ndërsa jetën e kanë humbur gjithsej 100 persona. Në rajonin e Pollogut, mjekët apelojnë që qytetarët të jenë më të kujdesshëm, ndërsa në mesin e qytetarëve tashmë mbizotëron paniku për këtë pandemi, sidomos me ardhjen e virusit të gripit të zakonshëm për këtë periudhë. Autoritetet lokale dhe ato shëndetësore vazhdojnë të apelojnë që qytetarët të jenë më të kujdesshëm dhe të mbajnë maska në vende publike dhe të ruajnë distancën, por edhe këta rekomandime hasin në vesh të shurdhër, sepse në shumë fshatra shumë pak banorë vendosin që të mbajnë maska kur dalin nga shtëpia për punët e tyre të përditshme. (koha.mk)

Advertisement
Advertisement

You May Also Like