Franca do të mbyllë 76 xhami

Franca do të mbyllë 76 xhami të cilat dyshohen për përhapje të radikalizmit fetar, dhe 66 migrantë pa dokumente janë deportuar.

Masat e reja kundër përhapjes së ekstremizmit fetar janë duke u ndërmarrë nga qeveria franceze pas disa sulmeve terroriste në vend.

Qeveria franceze ka nisur një valë “masive dhe të paprecedent” për të luftuar ekstremizmin fetar, ka thënë Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin, duke shtuar se 76 xhami dyshohen për “separatizëm”.

Darmanin të enjten postoi në Twitter intervistën e tij me radio RTL, duke shkruar: “Në ditët në vijim, do të kryhen kontrolle në këto vende të adhurimit.

Nëse vërtetohen dyshimet tona, unë do të kërkoj mbylljen e tyre.”Ai gjithashtu tha se 66 migrantë të padokumentuar të dyshuar për “radikalizim” ishin deportuar.

Qeveria e Presidentit Emmanuel Macron po merr këto masa si kundërpërgjigjje pas disa sulmeve vdekjeprurëse në javët e fundit, përfshirë therjen e tre personave në një kishë në Nisë dhe prerjen e kokës nga një refugjat çeçen i mësuesit të shkollës Samuel Paty pasi ai tregoi karikaturat e profetit Muhamed në një klasë për lirinë e fjalës.

Darmanin premtoi se do të godasë atë së cilës i referohet si “armiku i mbrendshëm”.

Në tetor, Macron paraqiti një plan për t’u ballafaquar me separatizmin islamik, duke e përshkruar Islamin si një fe në krizë në të gjithë botën.

Qeveria e tij- e akuzuar për islamofobi dhe “stigmatizim” të muslimanëve nga disa udhëheqës të huaj myslimanë dhe aktivistë francezë, por e mbështetur nga shumë votues francezë, veçanërisht nga e djathta – dëshiron të riimpozojë vlerat republikane sekulare franceze në rrethet e populluara shumë nga emigrantë muslimanë arabë dhe afrikanë që konsiderohen se i kanë shpëtuar kontrollit të shtetit.

“Deri më tani, shteti u përqendrua në radikalizimin dhe terrorizmin,” tha z.Darmanin për Le Figaro. “Tani ne gjithashtu do të sulmojmë bazat e mbarështimit të terrorizmit, ku njerëzit krijojnë hapësirën intelektuale dhe kulturore për shkëputjen dhe imponimin e vlerave të tyre”.Z. Darmanin foli pasi planet u zbuluan në gazetën Le Figaro, e cila mori një dokument të ministrisë së brendshme të 27 nëntorit mbi “vendet e adhurimit myslimane separatiste”.

Advertisement

Dokumenti numëron 2,623 xhami dhe salla lutjesh në Francë – vende për rreth 5.7 milion myslimanë, sipas Pew Research Center – popullsia më e madhe muslimane në Evropën perëndimore. Shumë xhami janë të lidhura me traditat islamike në Afrikën e Veriut dhe Turqinë, por 41 përqind thuhet se janë pa përkatësi, “një kategori pak e kuptuar që mund të fshehë vendet e adhurimit që përpiqen qëllimisht të mos vërehen”.

Sipas dokumentit 76 xhamitë përfshijnë 18 shënjestra prioritare, nga të cilat tetë janë në zonën e Parisit.

Tre prej tyre ndodhen në departamentin e Seine-Saint-Denis në veri të kryeqytetit: njëra u mbyll nga një kryebashkiak lokal por qëndroi e hapur, një e dytë u mbyll zyrtarisht në 2019 por vazhdoi të organizonte lutje dhe e treta u pa si një rrezik sigurie.

Më 20 tetor, Franca urdhëroi mbylljen e përkohshme të një xhamie jashtë Parisit si pjesë e një goditje ndaj njerëzve që dyshohen se nxisin urrejtje.

Xhamia e Madhe e Pantin, që gjindet në periferi të verilindjes së kryeqytetit, kishte shpërndarë një video në faqen e saj në Facebook para sulmit ku shfrynte urrejtjen ndaj Paty, të cilit iu pre koka në mes të ditës pranë shkollës së tij.

Franca ka mbyllur gjithashtu dy organizata – bamirësia myslimane BarakaCity dhe një grup i të drejtave civile që monitoron krimet e urrejtjes – Kolektivi Kundër Islamofobisë në Francë (CCIF) për lidhje me grupe radikale, akuza të cilat këto organizata i mohojnë. Financial Times / Al Jazeera

Advertisement
Advertisement

You May Also Like