Gazetare: Linda Ebibi
“Ndodhemi në fabrikën e vjetër kimike OHIS, ku ka mbetje të lindanit. Shatori që ndodhet mbrapa meje ka rreth 3 mijë tonë lindan. 1900 mbetje të lindanit deri më tani janë pastruar, ndërsa drejtori i projektit Zoran Ristiç tha se deri në fund të vitit të ardhshëm pritet të përfundojë projekti i pastrimit të plotë të deponisë së vogël. Për pastrimin e deponisë së madhe ende nuk asnjë projekt konkret”, raporton gazetarja e Alsat M, Linda Ebibi.
Mbetjet e lindanit ndodhen në një zonë të banueshme në kryeqytet, ndërsa renditet e para për rrezikshmëri ndaj ambientit jetësor dhe shëndetit të njerëzve në rajon dhe më gjerë. Për pastrimin e plotë të deponisë së vogël duhet të gërmohen edhe mbi 1 mijë tonë lindan dhe 1 mijë tonë tokë e kontaminuar. Kjo e fundit, referuar marrëveshjeve ndërshtetërore dërgohet në Gjermani ndërsa, mbetjet e pastruara në Francë.
“Momentalisht në OHIS në këtë lokacion në deponinë e madhe mendohet se ka 46 mijë ton, deponia e vogël që është lëndë punuese ka diku rreth 3 mijë tonë. D.m.th në përgjithësi duhet të ketë rreth 50 mijë tonë që duhet të pastrohen. Në deponinë e vogël, deri më tani janë gërmuar rreth 1900 tonë të mbetjeve, ndërsa tokë e kontaminuar rreth 6 tonë. Duke pasur parasysh se dinamika e punës rrjedhë mirë, supozimet tona janë se deri në fund të vitit të ardhshëm komplet projekti duhet të përfundojë. Janë të ndara në disa lotë, këtë vit përfundojmë me lotin e 4, që d.m.th se mbetet edhe loti i 5 dhe 6 që të gërmohet komplet deponia”, tha Zoran Ristiç, drejtor i projketit për pastrimin e lindanit.
Në deponitë e lindanit është detektuar edhe prezenca e merkurit që është shumë i rrezikshëm për mjedisin dhe shëndetin njerëzor. Për këtë arsye Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka siguruar mjete shtesë nga Norvegjia, respektivisht 1.9 milionë euro, ndërsa nga Komisioni Evropian 2.5 milionë euro, me qëllim që të pastrohet deponia e vogël plotësisht.
“Në të dy këto deponi është detektuar edhe prezenca e merkurit që është gjithashtu një metal shumë i rrezikshëm për mjedisin dhe shëndetësinë. Për shkak të pozicioneve që këto deponi ndodhen në kryeqytet si dhe në zonë të banuar, si dhe për shkak se këto kemikale i takojnë grupit të kemikaleve të konventës së Stokholmit, për eliminimin dhe asgjësimin e kemikaleve të rezistencës organike të ashtuquajtura “pops kemikale”, qasja e fondacioneve ka qenë më e madhe”, tha Lendita Dika, këshilltare e ndotjeve industriale dhe menaxhim me kriza.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Ekologjisë, Izet Mexhiti thotë se fillimisht duhet pastruar deponia e vogël, mandej deponia e madhe e lindanit. Ai theksoi se janë në përpunim e sipër të një strategjie për zgjidhje afatgjate për zonat më të rrezikshme të vendit.
“Në pishinën e madhe, aty po punojmë për strategji afatgjate bashkë me ekspertët dhe partnerët strategjik edhe të Bashkimit Evropian, dhe ekspert të kësaj lëmije, po i analizojmë fizilibitetet-studimet, ekspertizat për të gjete zgjidhjet më të lirë, më të shpejt dhe më të mirë që një herë e përgjithmonë, pra jo vetëm lindanin në Ohis por edhe me mbeturinat e rrezikshme që janë Vaksincë-Likovë , Jugohrom në Jugonvocë edhe në Veles. Është e dmosdoshme që fillimisht këto të pastrohen dhe mandej të veprojmë në drejtime tjera për ambient më të mirë”, tha Izet Mexhiti, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në vend ekzistojnë 54 deponi komunale të cilat nuk janë në përputhje me ligjin kombëtar dhe janë të planifikuara për mbyllje dhe rehabilitim. Prej tyre, 16 janë me rrezikun më të lart, ndër ato është deponia e lindanit dhe miniera e arsenit në fshatin Llojan të Komunës së Likovës. Për këtë të fundit Qeveria e kaluar kishte paraparë mjete për dislokimin dhe asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme kimike, por deri në përfundim të mandatit nuk ndërmorën asgjë./Alsat.mk
The post Fabrika Ohis nuk Shkup, s’do të pastrohet para fundit të 2025 appeared first on Alsat.
+ There are no comments
Add yours