DYZET DITË ZIE PËR VËLLAIN TIM – Poetja Lindita Ahmeti me dedikim prekës për vëllanë e saj Luranin

Poetja e njohur Lindita Ahmeti ka bërë një përkujtim prekës për vëllanë e saj, aktorin e famshëm Luran Ahmetin. Ky përkujtim vjen në të 40-ën e ndarjes nga kjo jetë e aktorit të madh të skenës shqiptare. NMK-Post e përcjell të plotë këtë përkujtim të poetes:
Ah vëllai i motrës! Ah Luli!
Se si u përvodh 25 marsi, si na e solli kobin në mënyrë aq tinëzare me lajmin se im vëlla Lurani nuk jeton më. E pabesueshme! Por brenda hidhërimit ngrihet dhembshëm zëri i së vërtetës që vjen përnjëherë duke ma bërë me dije se jeta filloi të bëhet e pakuptimtë për mua, tretet ajo ngrohtësia me të cilën Lurani, vëllai im i dashur dhe i vetëm, e mbushte këtë shtëpi. Në vend të ngrohtësisë së mëparshme që vinte nga dashuria me të cilën e praronte çdo kënd të shtëpisë Lurani, tash papritmas në mes të rehatisë dhe të gëzimit shpërtheu gjëma dhe argumenti se rruga e lumturisë sonë përfundoi me këtë të enjte, me këtë ditë që të parët tonë kanë menduar se është dita e hyjit. Në këtë ditë na u hap shtegu i lotëve. Ah, vëlla! Vëlla i motrës! Shkëlqim më nuk shoh askund. Çdo gjë që ti e praroje me fjalët tua, me njohuritë tua të thella për artin e aktrimit, tash është mbuluar me një zymtësi të dendur.
Me ditë të tëra rri duke i fshirë lotët të cilët nuk shteren dhe ja erdh edhe dita e dyzet nga largimi yt me barrën e mungesës së shpresës!
Tmerri kalëron rreth bibliotekës sonë të madhe.

Dhe gjëma të cilën mundohem ta mbaj mbyllur në zemrën time që mos t’ua rëndojë pikëllimin prindërve, Arbës së vogël dhe Edlirës
Po mbetet ajo dashuria e paskajshme që ke pasur për tërë familjen. Ajo bën dritë.
Ne vazhdojmë të të shohim si qëndron në dhomë duke bërë plane të mëdha për neve, si i zbërthen aq bukur e aq thjesht të gjithë lëmshet që na i ka nxjerrë koha para vetes. Ti, vëlla, ishe plot jetë, plot dashuri, plot talent dhe ky ishte çelësi me të cilin ti i zgjidhje problemet, të gjitha problemet e kësaj shtëpie që u ngrit me vlerat më të larta morale.
Dhe, ne mbahemi fort për kujtimet e pafundme të bukura që na i ke lënë. Janë shumë, shumë ato. Më bien tash ndërmend kur ishim të vegjël e kur ti më thoshe: “Linda, unë po dal pak në park dhe shpejt do të kthehem”. Nuk doje të ndjehem keq unë e cila nuk kisha mundësi të dilja me ty për arsye të këmbëve të mia që “nuk më dëgjonin” për shkak të sëmundjes. Pastaj vije ti me Blertën, i vogël dhe i brengosur që mos të më lësh vetëm. Bëheshim tre fëmijë dhe shikonim filma vizatimorë. O zot sa kënaqeshim! Ti që atëherë e ke pasur syrin shqiponjë dhe qysh aso kohe i vëreje hollësitë nëpër filma, i vëreje cikërrimat që edhe të mëdhenjtë nuk i vërenin. Ka qenë kjo një shenjë se ti një ditë do të bëhesh pjesë e skenës teatrore, pjesë e botës së filmit. Do të bëhesh Aktor i Madh. Dhe u bëre. U bëre duke përballuar sfida nga më të ndryshmet që nga pengesat e provincializmit e deri te pengesat e mëdha politike të cilat nuk na lanë të qetë derisa ti u bëre një figurë e rëndësishme e artit, derisa me mijëra dashamirë të artit filmik e teatror u bënë adhurues të personalitet tënd.
Kurse unë krenohesha, vëlla me ty, në çdo shfaqje teatrore, në çdo film e çdo serial. Krenohesha me çdo fjalë që e thoshin njerëzit për ty.
Krenohem edhe sot dhe do të krenohem gjithmonë, ndonëse tash është krejt ndryshe.

Advertisement

Gjithçka më duket se është përmbysur në jetën tonë. Ndjehet fuqishëm vetëm ajo energjia jote me të cilën zgjidheshin problemet tona, ndjehet mungesa e zërit tënd të kumbueshëm burrëror që i jep kuptim familjes, ndjehet mungesa e buzëqeshjes tënde, e kujdesit për babanë kur kishte probleme me tensionin dhe ti rrije gjithë natën me të, mungon vendimi yt i guximshëm për t’i zgjidhur hallet e vështira. E ndjejmë edhe atë humorin tënd karakteristik me të cilin na bëje të qeshim.
Unë e ti, vëlla i dashur, kishim edhe polemika të vogla për disa çështje të caktuara. Por fill pas kësaj ty të kalonte ajo xixa e hidhërimit dhe shpejt vije e më përqafoje. Përsëri ngadhënjente dashuria e vëllait për motrën dhe e motrës për vëlla. Pastaj vazhdonte hareja. Vetëm gëzim e hare kemi pasur ne në këtë shtëpi. Me çfarë magjie, o vëlla ishte i mbushur ai zëri yt me të cilin më thërrisje: “Linda”! “Linda do të shkojmë në kinema”? “Linda a do të vish sonte në premierë, biletat i kam siguruar në rendin më të mirë”.
Ooo sa u kujdese për mua që të mos infektohem me këtë virus të mallkuar, sa energjinë e derdhe duke menduar të na çoje nëpër mjekë e spitale të njohura nëpër Evropë e Turqi! O vëlla, tash jemi ne në shtëpi të tronditur dhe nuk duam të dëgjojmë për spitale.
Ne të dy o imi vëlla vendimet më të rëndësishme i merrnim bashkë. Unë e ti. Kjo na ndihmonte mos të dështojmë.
Vëllai im, i miri i motrës, ma dhe edhe fjalën se pasi t’i marrim vaksinat ti do të jemi rehat, se çdo gjë do të bëhet mirë. Ti më ushqeje me optimizëm.

Çfarë mallkimi është ky që s’arrita të kënaqem duke i vazhduar bisedat e dikurshme për artin antik, duke folur për Arbën tonë të vogël si do të angazhohemi kur të nisë të shkojë në shkollë. Nuk arrite t’i ndihmoje t’i bënte detyrat, nuk arrite ta shohësh që mami e babi i morën vaksinat me ndihmën e shokëve të tu të shumtë.
Ishte shpirti yt i pastër engjëllor që ka lënë gjurmë të thella, që ka lënë aq kujtime të bukura. Ato do ta bëjnë të përjetshëm emrin tënd, jo vetëm te familjet tona të gjera, por edhe te dashamirët e filmit e teatrit që nga Stambolli në Shkup, nga Shkupi në Prishtinë, nga Prishtina në Tiranë, por edhe në mbarë Evropën dhe kudo ku gjendet një shqiptar. Ti e dëshmove se ke qenë personalitet i madh. Një aktor i papërsëritshëm.

Jo më kot shokët e tu përpiqen ta përjetësojnë emrin tënd ashtu si e ke merituar.
Janë ditë të vështira këto për mua, vëllai im, sepse ti e ke investuar energjinë e dashurisë së paparë për të gjithë ne.
Rrinim ndonjëherë bashkë në dhomë, kurse ti i gëzohesh rritjes së Arbës. “Linda”, më thoshe, “A po e sheh, Arbushi u rrit. Dhe, kënaqeshim të dytë me këtë vajzë aq të dashur e aq të bukur, siç ishte edhe ti vëlla i motrës. Sa gëzoheshim që Arba nga shtatori do të shkojë në klasë të parë. Po ti s’arrite për pak ta përjetosh këtë gëzim. Unë nuk e di si do të ndjehemi kur Arba të ulet në bankën e klasës së parë. Por, ti na ke lënë gjithë atë dashuri dhe unë e Edlira, por edhe babi e mami do të bëjmë që të gëzohesh ti për Arbushin, kudo që të jesh. Sepse e shohim që Arba ka potenciale inteligjence që të bëhet ashtu siç ke ëndërruar ti. Do të përpiqemi që ta gjejmë shtegun më të mirë e më të sigurt për të, sepse të duam dhe do të duam gjithmonë ty dhe Arbën, vëllai im Lul, o vëlla!

Advertisement
Advertisement

You May Also Like