Dr.Xhemaili: Vaksinohuni, shpëtoni jetë

Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë në Spialin e Cyrihut të Zvicrës, Kardiokirurgu i njohur shqiptar, Dr.Omer Xhemaili, përmes një mesazhi në rrjetet sociale ka bërë thirrje që bashkëqytetarët e tij shqiptarë në Zvicër, por edhe gjithandej botës, të vaksinohen dhe të mos u besojnë teorive të komplotit dhe lëvizjeve anti-vaksina, ngase sic shprehet vaksinat janë të sigurta.

“Po ju drejtohem me lutje të drejtpërdrejtë dhe urgjente. Vaksinohuni menjëherë e pa ngurrim. Vaksinat që jepen në Zvicër janë të sigurta. Vaksinimi është rruga e vetme për t’u përballur me pandeminë. Mos i besoni asnjë lajmi të rrejshëm e as një teorie të komplotit që sidomos në rrjete sociale përhapen nga njerëz të pandërgjegjshëm. Vaksinat janë zbuluar nga shkencëtarët më të shkathët që aktualisht janë aktiv . Vaksinat ju shpëtojnë nga vdekja. Kjo nuk është pak” – thotë Dr. Omer Xhemaili.

Sipas tij, nëse njerëzit nuk vaksinohen, rrezikojnë veten dhe njerëzit përreth.

“Duke bartur virusin ju mund të rrezikoni jetën e më të dashurve tuaj. Kjo nuk duhet të ndodh. Jeta e secilit është e rëndësishme. Nëse refuzoni të vaksinoheni dhe përfundoni në spital ju mund ta bllokoni shtratin atyre që kanë nevojë urgjente për trajtim, për shembull pacientëve me sëmundje të zemrës” – paralajmëron Dr.Omer Xhemaili.

Advertisement

Dr.Omer Xhemaili thotë se është momenti i fundit për një vetëdijësim të përgjithshëm dhe për vaksinim.

“Regjistrohuni pa humbur kohë në platformat përkatëse dhe vaksinohuni. Bindni edhe prindërit tuaj të vaksinohen. Nëse keni ndonjë vështirësi për t`u vaksinuar, kontaktoni mjekun e shtëpisë apo telefononi në numrat që kanë bërë public autoritetet” – bën thirrje Kardiokirurgu shqiptar.

Dr.Omer Xhemaili thotë se vaksinimi shpëton jetë duke bërë thirrje për imunizim masiv.

“Nuk i keni 100 jetë por vetëm një. Unë jam vaksinuar para disa muajve dhe vaksinimi më ka mundësuar që të kryejë punën time si kirurg i zemrës dhe të shpëtojë shumë jetë njerëzish, mes tyre edhe shqiptarë. Ndihmoni edhe ju në shpëtimin e jetëve” – thotë Dr.Omer Xhemaili në mesazhin e tij të publikuar nëpër rrjetet sociale. /KlanMacedonia

Advertisement
Advertisement