Dorëzohen sindikalistet e arsimit, heqin dorë nga protestat e grevat

Dorëzohen sindikalistet e arsimit, heqin dorë nga protestat e grevat

Sindikalistet e arsimit në vazhdimësi kishin paralajmëruar për protesta e greva në fillim të vitit të ri shkollorë duke kërkuar rritje të pagave për së paku 30 %. Por, dy ditë para fillimit të vitit të ri shkollor sindikalistet kanë hequr dorë nga protestat e grevat e paralajmëruara shumë më parë.

Kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jashari për Front Online konfirmoi se mësimi për vitin shkollor 2024-2025 do të fillojë të hënën, më 2 shtator.

Ai tha se SBAShK-u nuk ka planifikuar veprime sindikale në fillim të vitit shkollor, mirëpo sipas tij nuk përjashtohen veprimet sindikale në fund të shtatorit në rast të mos përmbushjes së kërkesave të mësueseve.

Sipas krye sindikalistit të arsimit një nga kërkesat kryesore të SBAShK-ut është rritja e vlerës së koeficientit të pagave për mësimdhënësit, për të paktën 30%, pasi pagat në arsimin publik sipas tij kanë mbetur të ulëta në krahasim me pagat në vendet e rajonit, si Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Po ashtu, sipas tij SBAShK-u do të bëjë presion për të përmirësuar skemën pensionale financuar nga shteti, duke kërkuar që të rivlerësohet njohja e viteve të kontributit për periudhën e viteve 1990, e cila u hoq nga ndryshimet e fundit ligjore.

Jashari ka theksuar se SBAShK-u do të kërkojë gjithashtu që të trajtohet ndarja e pabarabartë e vlerës për vitet e para të punës dhe për vitet pas vitit të 15-të, e cila ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në pagat dhe pensionet e mësimdhënësve.

“Çështje kryesore për të cilat po debatojmë me veprimtarë sindikalë të cilat po sjellin kërkesat e anëtarësisë janë që në mënyrë urgjente të ngritët vlera e koeficientit për së paku 30% sepse pagat në arsim kanë mbetur tepër të ulëta sidomos kur i krahasojmë me pagat që i kanë kolegët tanë qoftë në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi pra po flas për shtetet rreth nesh. Po ashtu do ta bëjmë një angazhim qoftë edhe me format ligjore tjera që parashihen që të lusim parlamentin që të nxisim debatin në parlament që të përmirësohet gabimi tepër i rëndë që u bë nga qeveria dhe u votua fatkeqësisht nga parlamenti pra e kam fjalën për ndryshimet për skemën pensionale financuar nga shteti ngase nuk dua të besoj se ndodhi me ndonjë qëllim të caktuar, u hoq pika 6 e nenit 8 e kjo pikë e votuar nga parlamentet paraprake kishin njohur arsyeshëm  vitet e 90-ta si vite kontribut dhënëse dhe kjo njohje u mundësonte atyre që ti bëjnë më lehtë 15 vite për të dalë në pension të plotë” ka thënë ai.

Shkollat po punojnë me kushte që nuk janë të shekullit 21

Jashari po ashtu ngriti shqetësime mbi kushtet e papërshtatshme të shkollave. Ai theksoi se shkollat në Kosovë përballen me kushte të cilat nuk janë në përputhje me standardet e shekullit XXI. Sipas tij, shumë shkolla përballen me mungesë të materialeve dhe infrastrukturës adekuate, duke përfshirë kushte të dobëta për mësimdhënie dhe materiale didaktike të papërshtatshme.

Këto kushte sipas tij po pengojnë përmbushjen e objektivave edukative dhe po e bëjnë më të vështirë punën e mësimdhënësve.

Në përpjekje për të adresuar këto probleme, SBAShK-u do të angazhohet për të siguruar që kushtet e shkollave të përmirësohen.

Jashari theksoi se sindikata do të përdorë të gjitha mjetet e mundshme për të krijuar një dialog konstruktiv me MASHT-in dhe autoritetet e tjera për të siguruar përmirësime në kushte dhe infrastrukturë

“Do ta ngrisim edhe çështjen e kushteve të punës ngase e Kosovë shkollat po punojnë në kushte të cilat nuk janë të shekullit 21, po punojnë me tekste që mund të vonohen, po punojnë me shkumës e shpuzë dhe në këtë mënyrë nuk mund të arrijmë objektivat që i dëshirojmë  edhe përkundër angazhimit maksimal të punëtoreve të arsimit” tha Jashari.