Deri në 700 milion euro pasuri, kush janë 5 super të pasurit që u zgjodhën deputetë në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Nga këto rezultate, u zbuluan dhe emrat e deputetëve ku pesë prej tyre kanë një pasur prej 1 milion euro deri në 700 milionë euro.

Behxhet Pacolli

Një prej milionerëve të vendit ka arritur që të sigurojë votat e nevojshme për të qenë deputet i kësaj legjislature. Bëhet fjalë për Behgjet Pacollin, i cili vlerësohet të jetë njeriu më i pasur në Kosovë.

Shtëpitë, tokat milionëshe, avioni privat, makinat, aksionet në shumë kompani e miliona euro para nëpër institucione financiare, i mundësojnë atij që të jetë i pari në listën e zyrtarëve milionerë të vendit. Bazuar në deklarimin e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ai ka pasuri në vlerë rreth 700 milionë euro.

Vetëm një tokë që Pacolli e ka jashtë vendit kushton mbi 7 milionë euro, derisa një nga shtëpitë që ka në pronësi ai kushton rreth 18 milionë euro.

Ai ka në pronësi edhe hotelin Sëiss Diamond, vlera e të cilit llogaritet të jetë 42 milionë euro. Në total, vlera e pasurive të paluajtshme që posedon ai shkon në rreth 200 milionë euro.

Përveç veturave të shumta që zotëron, Pacolli ka edhe avion privat, vlera e të cilit llogaritet të jetë rreth 10 milionë euro.

Pasuria e ish zëvendëskryeministrit të Kosovës nuk mbaron këtu. Ai ka aksione në vlerë rreth 500 milionë euro në rreth 20 kompani, në disa prej të cilave ka aksione 100%.

Pacolli ka edhe miliona euro të kursyera në banka në Prishtinë. Vetëm në një prej këtyre bankave ai ka të kursyera mbi 4 milionë euro.

Të ardhurat e tij vjetore shkojn rreth pesë milionë euro. Këto para ai i merr nga Banka Ekonomike, Mabetex Holding, depozitat në bankë dhe Kuvendi i Kosovës.

Pal Lekaj

Një milioner tjetër që do të jetë sërish pjesë e Kuvendit të Kosovës është edhe ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, Lekaj ka deklaruar se ka në pronësi një tokë në vlerë 1 milion e 500 mijë euro, një shtëpi që thotë se kushton 280 mijë euro dhe një banesë, vlera e të cilës shkon rreth 80 mijë euro.

Tek pasuritë e luajtshme, ai ka deklaruar dy makinat e tij në vlerë rreth 30 mijë euro, atë të bashkëshortes që kushton gati nëntë mijë euro dhe të fëmijëve në vlerë 16 mijë euro.

Ish ministri ka para të gatshme në banka 3 mijë euro, ndërsa bashkëshortja dhe fëmijët kanë para cash në vlerë afër 11 mijë euro.

Lekaj ka edhe detyrime financiare ndaj bankave. Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, figuron se ai ka kredi në vlerë 75 mijë euro që e kishte marrë për blerjen e një banese, kohëzgjatja e së cilës është 10 vite.

Si të hyra vjetore, ai e ka deklaruar pagën që e kishte marr si Ministër i Infastrukturës, në vlerë 22 mijë euro.

Advertisement

Ljubinko Karagjiq

Milioner është edhe deputeti nga radhët e Listës Serbe, Ljubinko Karagjiq. Vetëm një tokë që e zotëron, ka vlerë 1 milion e 300 mijë euro.

Përveç tokës, ai ka edhe një shtëpi në vlerë 100 mijë euro, apartament që kushton 60 mijë euro dhe mal.

Si pasuri të luajtshme, Karagjiq ka deklaruar makinën e tij që thotë se kushton 15 mijë euro.

Ai ka 2 mijë euro të gatshme në banka, ndërsa bashkëshortja e tij ka rreth 4 mijë euro. Bashkëshortja e tij ka edhe një kredi në vlerë 30 mijë euro.

Karagjiq merr 13 mijë euro të ardhura vjetore. Të njëjtën shumë e merr edhe bashkëshortja e tij.

E për dallim nga këta deputetë që pothuajse të gjithë pasurinë e kanë në emër të tyre, janë edhe gjashtë deputetë që janë milioner me pasurinë e familjes.

Valentina Bunjaku-Rexhepi

Bazuar në deklarimin e pasurisë, milionere është edhe deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi.

Në Agjencinë Kundër Korrupsionit, deputetja e LDK’së ka deklaruar se ka në pronësi të përbashkët tri lokale afariste në vlerë rreth 900 mijë euro dhe dy shtëpi në vlerë mbi 500 mijë euro.

Tek pasuritë e luajtshme, ajo ka deklaruar makinën e saj në vlerë 10 mijë e 500 euro, të bashkëshortit që kushton 9 mijë e 500 euro dhe një mjet të përbashkët, vlera e së cilës sillet rreth 4 mijë e 500 euro.

Bashkëshorti i saj është edhe aksionar në një kompani. Vlera e aksioneve që ka në pronësi sillet rreth 52 mijë euro.

Deputetja i ka 800 euro të gatshme në bankë dhe një kredi në vlerë 25 mijë euro, me kohëzgjatje pesë vite.

Të ardhurat e saj vjetore shkojnë rreth 15 mijë euro.

Valon Ramadani

Pasuri milionëshe ka edhe familja e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadanit. Vetëm tri troje që posedon babai i tij kapin vlerën e mbi 3 milionë euro.

Vetë Ramadani ka në pronësi një makinë në vlerë 15 mijë euro, që thotë ta ketë blerë nga kursimet, derisa bashkëshortja e tij ka një makinë që kushton pesë mijë euro dhe stoli ari në vlerë katër mijë euro.

Si para të gatshme, ai i ka deklaruar rreth 4 mijë euro, që i zotërojnë fëmijët e tij.

Të ardhurat vjetore të Ramadanit shkojnë rreth 22 mijë euro, të cilat i merr si pagë nga Kuvendi i Kosovës.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like