
Periudha prej gjashtë muajsh e paracaktuar nga autoritet bullgare për gjetjen e një zgjidhje të mundshme mes dy vendeve përmes grupeve të reja të punës të cilët duhet të formohen, është blerje kohe. Kështu vlerëson Malinka Ristevska Jordanovska nga Instituti për Politikë Evropiane, shkruan Alsat.
“Kësaj qeverie i duhet kohë që të fillojë të funksionojë sepse është një koalicion mes më shumë profilesh të ndryshme me një marrëveshje voluminoze koalicioni dhe do të shohim si do të funksionojë. Bullgaria nuk ngutet në raport me Maqedoninë. Aspekti i dytë; po Franca e shmang fjalën “zgjerim” sepse vlerëson se mund ta dëmtojë në zgjedhjet presidenciale.”- deklaroi Malinka Ristevska Jordanovska, Instituti për Politikë Evropiane.
Nëse Bullgaria mbetet në pozitat e saj është e vështirë të flitet për zgjidhje, thotë Ristevska. Ajo shton se nëse grupet e punës përqëndrohen tek e ardhmja, atëherë mund të ketë rezultate kurse nëse koha gjashtëmujore shfrytëzohet për presione tjera ndaj Maqedonisë së Veriut për të pranuar kërkesat bullgare, atëherë data nuk është e sigurt as pas gjashtë muajsh.
“Jo, nuk ka garancë sepse kemi nga njëra anë të gjitha vendet anëtare dhe nga ana tjetër Bullgaria që mbetet fortë në pozitën e saj. Duhet të ketë lëshime edhe nga ajo anë për të parë se si procesi mund të shkojë përpara.”- pohoi Malinka Ristevska Jordanovska, Instituti për Politikë Evropiane.
Kryeministri bullgar Kirill Petkov njoftoi se Sofja dhe Shkupi kanë rënë dakord për formimin e grupeve të punës në më shumë sektorë, si ekonomi, kulturë dhe infrastrukturë, përskaj grupit të punës për historinë. Grupet e punës deri në fillim të janarit duhet të kenë një plan veprimi për periudhën e ardhshme e cila sipas Petkovit, do të zgjasë deri më gjashtë muaj negociata. Ndërkohë Presidenti Francez Emanual Makron njoftoi se gjatë presidencës franceze të BE-së nga janari deri në qershor, Ballkanit Perëndimor do t’i kushtohet rëndësi, por samiti për Ballkanin Perëndimor do të mbahet në qershor.