Covid-19 në Kosovë/ Vitia: Mos zgjidhni vaksinën – të dyja janë të sigurta

Estimated read time 2 min read

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, edhe një herë ka bërë thirrje që qytetarët e Kosovës të marrin vaksinën, pa zgjedhur cilën, duke u shprehur se si “AstraZeneca”, si ajo “Pfizer”, janë të sigurta.

Në një konferencë për media ai ka thënë se Kosova “ka mjaftueshëm doza”.

“Mos të zgjedhim cilën vaksinë ta marrim në një situatë si kjo. Me rëndësi është të marrim sa më parë. Kemi vaksina të sigurta, e jemi i vetmi vend në rajon që kemi administruar vetëm vaksina të aprovuara nga EMA dhe FDA”, ka thënë ai, pas deklaratave të dy ditëve më herët kur Vitia dhe kryeministri Albin Kurti treguan se në stok kanë mbetur shumë më shumë doza të vaksinës “AstraZeneca” në krahasim me ato “Pfizer”, të cilat po preferohen nga qytetarët.

Ai ka paralajmëruar se shumë shpejt vendi do të furnizohet me doza të reja, ndërsa të hënën ka pranuar edhe mbi 50 mijë doza “Pfizer”, teksa ka paralajmëruar se 150 mijë doza “AstraZeneca” do të vijnë nga Gjermania deri në fund të javës e shumë shpejt edhe rreth 500 mijë “Pfizer” nga Amerika.

Sipas Vitisë, së shpejti do të nisin punën edhe 85 inspektorët sanitarë e mbi 1000 punonjësit shëndetësorë, të angazhuar me vendimet e fundit të Qeverisë.

Advertisement

Ai ka paralajmëruar qytetarët që të kuptojnë rreziqet që sjell varianti “Delta” i koronavirusit.

“Në mesin e qytetarëve duket se është krijuar një ide se ky variant edhe pse po shpërndahet më shpejt është më i lehtë se ata paraprakë. Me keqardhje duhet t’u them se s’është aspak e vërtetë. Pos shpërndarjes më të shpejt se variantet paraprake, është një nga viruset më agresivë respiratorë. Edhe të rinjtë preken. Spitalet janë përmbushur. Me komitetin e SHSKUK-së, kjo ishte brenga kryesore. Por natyrisht falë angazhimit të madh të tyre janë rritur kapacitete, dhe përkundër vështirësive, situata është nën kontroll. Mbi 1000 profesionistë shëndetësorë do t’u vijnë në ndihmë së shpejti”, ka thënë tutje ai./Koha.net/

Advertisement
Advertisement

You May Also Like