Çfarë nënkupton nisma e BDI-së për “reforma gjithëpërfshirëse dhe proces të vetingut”?

Nga BDI sot njoftuan se me urdhër të kryetarit të partisë, Ali Ahmeti, kanë nisur “reformën gjithëpërfshirëse të partisë dhe procesin e vetingut”, përcjell TV21. Po çfarë nënkupton kjo nismë? Nga BDI thonë se vetingun po e fillojnë nga radhët e tyre, ndërkaq shtojnë se deputetët e tyre tashmë i janë nënshtruar një filtri. “Deputetët e BDI-së i janë nënshtruar një vlerësimi të rrezikut të korrupsionit dhe kanë nënshkruar Kodin e Praktikës së Mirë dhe Integritetit të BDI-së. Ky kod përputhet me Kodin e Praktikës së Mirë në Fushën e Partive Politike, të miratuar nga Rezoluta e Komisionit të Venecias dhe e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE). BDI është e vendosur të zgjerojë këtë proces të vetingut përtej nivelit parlamentar, duke synuar të gjithë zyrtarët e nivelit të lartë të partisë, anëtarët e Kryesisë së BDI-së dhe kryesinë lokale të degës së partisë. Ky plan strategjik veprimi synon jo vetëm të përforcojë qëndrimin e partisë kundër korrupsionit, por edhe të nxisë një kulturë integriteti brenda proceseve politike”, thonë nga BDI. Nga BDI thonë se po “krijojnë precedent që duhet ta ndjekin partitë e tjera politike”. “Kjo nismë ripohon përkushtimin e BDI-së për sundimin e ligjit dhe tregon përkushtimin e partisë për të trajtuar korrupsionin në rrënjët e tij. Nëpërmjet veprimeve strategjike dhe angazhimit të palëkundur, BDI mbetet e përkushtuar në vendosmërinë e saj për të udhëhequr me shembull me qëllimin përfundimtar për të realizuar ndryshime domethënëse brenda partisë dhe, në fund të fundit, në kuadrin kombëtar të qeverisjes”, shtojnë nga BDI.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *