Biden i propozon presidentit rus takim të nivelit të lartë

Presidenti i SHBA Joe Biden i bëri thirrje të martën Presidentit rus Vladimir Putin për të ulur tensionet e shkaktuara nga një grumbullim trupash i Rusisë në kufirin me Ukrainën dhe propozoi një takim të nivelit të lartë mes dy udhëheqësve.

Në shenjë shqetësimi rreth tensioneve të shtuara në krizën e Ukrainës, Presidenti Biden i telefonoi Presidentit Putin për të propozuar që ata të takohen në një vend të tretë, ndërsa nënvizoi angazhimin e SHBA ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

“Presidenti Biden gjithashtu e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë në mënyrë të vendosur në mbrojtje të interesave të tyre kombëtarë në përgjigje të veprimeve të Rusisë, të tilla si ndërhyrjet kibernetike dhe ato në zgjedhje,” tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Advertisement

Zoti Biden riafirmoi gjithashtu synimin për të ndërtuar “një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme” me Rusinë dhe tha se një takim në muajt e ardhshëm mund të trajtojë “gamën e plotë të çështjeve” me të cilat përballen dy fuqitë botërore, sipas deklaratës.

Kremlini konfirmoi se Presidenti Biden kishte propozuar një takim të nivelit të lartë, por nuk tha se cila ishte përgjigja e udhëheqësit rus./VOA

Advertisement
Advertisement

You May Also Like