Kështu duken sot stacionet e autobusëve në kryeqytet, nga reduktimi i autobusëve privat.
Në një stacion në Hasanbeg, nxënësit presin me orë për të shkuar në shkollë, teksa një qytetare na tregoi se është vonuar për në punë.
“Turp është kjo! Për ne të moshuarit ashtu-ashtu, ndërsa për fëmijët e tmerrshme, për të ardhmen tonë. Xhironi të rinjtë kur do të shkojnë ata në shkollë, turp! Unë punoj në shkollë këta janë fëmijët e mi. E tmerrshme nuk kam koment”, tha një qytetar.
“Në përgjithësi nuk janë të rregullt, më parë kishte 2 autobusë, tani 1 dhe do të pritet më shumë normalisht”, shtoi një tjetër qytetar.
Qarkullimi i autobusëve privat me orar të reduktuar ka filluar prej dje dhe do të vazhdojë deri sa të zgjidhet problemi i rritjes së tarifës për kilometër, na tha transportuesi privat Hysen Halili. Ai tregon se me çmimin që është përcaktuar para 8 viteve me të njëjtin kanë funksionuar deri tani, të cilët janë paguar 68 denarë në kilometër, ndërsa kërkojnë 134 denarë.
“Faktikisht vjen puna që ne të shtojmë të holla dhe jo të fitojmë, çdo kush punon që të fitojë! Ka pasur konsultime, takime me të Qytetit të Shkupit për këtë problem dhe më në fund u arrit që para kësaj seance që kishte Këshilli i Qytetit të Shkupit dje, këshilltarja znj. Makfire Hiseni jep iniciativë për ndryshimin e çmimit, ajo e ka dorëzuar ditën e hënë të Kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit Trajko Sllavevski dhe te kryetarja Danella Arsovska. Danella Arsovska ka dhënë mendim pozitiv për këtë sepse ka qenë edhe më herët e njoftuar për këtë, mirëpo kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit nuk e ka vendosur në rend të ditës, këtë pikë për çështjen tonë”, deklaroi Hysen Halili – transportues privat.
Një transportues tjetër privat Branisllav Mitevski thotë se duhet të presin një muaj për seancën e ardhshme, ndërsa shoferët nuk mund të funksionojnë me pagesën e njëjtë, teksa shton se pa u zgjidhur problemi, nuk do të vozisin me orar të plotë.
“Nuk funksionojmë sepse çmimin e kemi prej në fillim që është formuar ky sistem për pagesën, çmimi na ka ngelur i njëjtë, deri sot nuk është rritur 8-9 vite dhe nuk e kemi pagesën e rregullt”, potencoi Branisllav Mitevski – transportues privat.
Nga Qyteti i Shkupit thonë se qytetarët e Shkupit dhe transportuesit privatë prej vitesh janë peng i diletantizmit politik të VMRO-DPMNE-së.
“Përkatësisht, për seancën e djeshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, transportuesit privatë i dërguan kryetarit të Këshillit Trajko Sllavevski kërkesë për rritje të çmimit të shërbimeve. Sllaveski nuk pranoi që këtë kërkesë ta shqyrtojë para këshilltarëve, e kjo është arsyeja e revoltës së sotme të transportuesve privatë”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Transportuesit privatë kërkojnë seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit për ta shqyrtuar kërkesën e tyre, sepse seanca e rregullt do të jetë pas 21 tetorit.
