Këngëtarja e njohur, Elsa Lila, ishte e ftuara e radhës në podkastin e kryeministrit, Edi Rama.
Pas koncertit të saj të parë recital, në Tiranë, titulluar “Finalmente”, artistja shqiptare foli rreth jetës së saj personale, sfidave me të cilat është hasur, karrierës në muzikë dhe arrestimit për shpërndarje të lëndëve narkotike. Sipas Lilës arrestimi i saj rreth një vit më parë ishte i padrejtë.
Ajo tregoi se ndenji në burg për 2 muaj dhe se për dy javë të tëra ishte në izolim. Këngëtarja tha se eksperienca e saj në burg e ndryshoi tërësisht si njeri.
Pjesë nga intervista
Elsa Lila: Qelinë e provova kur u arrestova vitin e kaluar.
Edi Rama: Përse?
Elsa Lila: Sipas tyre për shpërndarje të lëndëve narkotike; gënjeshtër e madhe, po e madhe, shumë e madhe.
Edi Rama: Po sa kohë ndenje në qeli në atë kohë?
Elsa Lila: Kam ndenjur 2 muaj, nga këta 2 javë në izolim. Izolim do të thotë izolim, do të thotë një dhomë pa dritare, pa asgjë. Ditët janë shumë të gjata, nuk mbarojnë kurrë.
Edi Rama: Sensin e orës e kishe?
Elsa Lila: Jo absolutisht. Orientohesha me vaktet që servireshin. Pra, vinte dreka e duhet të jetë pak a shumë ora 1. Nuk kishte as dritë aty brenda, kështu që nuk mund të orientohesha me dritën e diellit, por ama është një eksperiencë kaq e fortë psikologjikisht sa ti nuk je më njëlloj pastaj mbrapa. Ai është një moment kufiri, ku ti duke ditur që je i pafajshëm dhe do dalësh që aty, ose e shfrytëzon atë moment për të medituar fort dhe për të evoluar mendërisht dhe spiritualisht një shkallë më lart, ashtu siç unë kërkoj të bëj gjithmonë ose shkon mbrapsht dhe nuk kthehesh më indietro. Është një fije peri që e ndan atë moment dhe unë pas 3 ditëve të para që i mbaj mend si nëpër ëndrra sepse nuk kam ngrënë, nuk kam pirë, nuk kam fjetur, nuk jam shtrirë në atë krevat, kam ndenjur në një karrige ulur në atë dhomë, se nuk dua ta quaj qeli, sepse tek e fundit nuk e ka fajin ajo, pse ta quaj qeli. Tek e fundit, ishte ajo ku unë banova për dy javë dhe u mundova dhe ta dua atë dhomë, që mos të shqetësohesha shumë. Muret ishim me emra, data, me mesazhe, poezi, kishte shumë për të parë nëpër mure dhe për të fantazuar dhe jo vetëm, por nëse përqendroheshe, kishte shumë energji të lënë aty brenda nga gjithë njerëzit, dhimbjen që kanë përjetuar aty brenda. E ripërsëris, ngaqë e dija që do dilja shpejt, pasi unë nuk kisha lidhje me atë histori, vendosa që ta përjetoja si një nga eksperiencat e jashtëzakonshme, të çmendura që më kanë ndodhur gjatë jetës dhe ta përdorja si mjet rritjeje psikologjike dhe spirituale dhe jo si mjet auto-shkatërrimi.
