Ambasadori i BE-së: Heqja e liberalizimit të vizave nuk diskutohet

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Gir ka komentuar skandalin me dhënien e pasaportave të rreme të Maqedonisë së Veriut për personat të inkriminuar nga vende të ndryshme ballkanike. Diplomati evropian ka deklaruar se është e vërtetë se siguria e dokumenteve të udhëtimit është e rëndësishme edhe për monitorimin e zbatimit të udhëtimit pa viza, megjithatë në rastin konkret është heret të flitet për ndonjë masë restriktive për qytetarët e Maqedonisë së Veriut që udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

David Gir, ambasador i BE-së në Shkup

“Nëse ka pretendime për sigurinë e dokumenteve, është e rëndësishme të shikohet se si e trajton shteti këtë çështje, se si menaxhohet nga sistemi gjyqësor. Nëse dëshmohet se ka ndonjë shkelje duhet të trajtohet seriozisht dhe të zgjidhen problemet. Nëse ka vrima, ato duhet të mbyllen. Mendoj se është e rëndësishme kjo qasje e jo nëse do të vazhdojë ose jo regjimi pa viza. Por, mendoj se është herët të flitet nëse do të ketë ndryshime në këtë qëndrim”
Ambasadori Gir ka komentuar pritjet nëse qeveria e re në Sofje mund të shtojë shpresat për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Ai ka deklaruar se ka kaluar një vit që kur BE mori vendimin historik për të hapur bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ndërsa ai vendim është akoma i vlefshëm.
David Gir, ambasador i BE-së në Shkup
“Hapi tjetër është të biem dakord mbi atë që ne e quajmë kornizën negociuese. Ky është një lloj referimi për vetë procesin e negociatave. Shpresojmë që vendet anëtare do të bien dakord për këtë së shpejti. Sa i përket presidencës portugeze, ata nënvizuan qëllimin e tyre për të mbajtur konferenca ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe hapjen e procesit të pranimit për këto vende. Por kjo varet nga marrëveshja e vendeve anëtare të kornizës negociuese dhe siç thashë unë shpresoj se pozicioni mund të arrihet shumë shpejt”
Ambasadori evropian ka deklaruar se nuk mund të ketë ndarje ndërmjet mbajtjes së konferencës dhe tejkalimit kontesteve ndërmjet Shkupit dhe Sofjes. Ai ka rikujtuar se Këshilli Evropian funksionon në bazë të unanimitetit në vendime si ky. Prandaj, për të arritur marrëveshje mbi kornizën negociatore që përmenda, në fakt të 27 vendet anëtare duhet të bien dakord. Në këtë situatë, ambasadori Gir e ka bërë të qartë se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive që të arrihet një zgjidhje e bazuar në një marrëveshje të përbashkët. /SHENJA/

Advertisement
Advertisement
Advertisement

You May Also Like