Rade Trajkovski Shtekli ra në duart e policisë. Jozyrtarisht ai është arrestuar në Gjevgjeli në një kazino afër pikës kufitare. Dyshimet janë se ai drejtonte një grup të organizuar të trafikimit të drogës. Në aksionin e MPB-së, përveç Shteklit, i cili konsiderohet lider, janë marrë masa edhe ndaj 13 personave të tjerë. Ata janë kërkuar në rreth njëzet lokacione në Shkup dhe Gjevgjeli.
Aksioni ende po zgjat dhe është rezultat i një monitorimi prej muajsh.
Prokuroria për Luftën kundër Krimit të Organizuar paralajmëroi më shumë informacione në ditët në vijim. Jozyrtarisht, gjatë kontrolleve janë gjetur dhe konfiskuar mbi 300 mijë denarë, katër mijë euro, katër vetura, telefona celularë, pistoletë, plumba dhe drogë. Është kërkuar masa e ndalimit për anëtarët e dyshuar të grupit kriminel që organizonin shitje në rrugë të lëndëve narkotike.
Megjithatë, disa media shkruajnë se po shqyrtohet edhe aktivitetet e një inspektori në MPB, i cili dyshohet se ka dhënë informacione për bandën kriminele, por deri më tani nuk ka konfirmim as nga MPB, as nga Prokuroria.
Kreu i bandës kriminale, Rade Trajkovski Shtekli, u bë i njohur për publikun pasi emri i tij u lidh me vrasjen e Martin Janushevit në vitin 2017, por ndaj tij nuk u ngrit asnjë akuzë. Shtekli gjithashtu i mbijetoi dy përpjekje për vrasjen e tij në një qendër tregtare në Shkup dhe së fundmi kur një bombë u hodh para shtëpisë së tij në lagjen Qeramidnicë. Këto aktivitete i atribuoheshin luftës mes klaneve të drogës dhe ai konsiderohej i afërt me grupin Belanoca.